Drejtësia refuzoi pjesëmarrjen te “Antikorrupsioni”, Manja: Do japin ekspertizën e tyre

Teksa pjesa më e madhe e institucioneve të drejtësisë kanë refuzuar prezencën në komisionin e posaçëm Antikorrupsion, të drejtuar nga Fatmir Xhafa, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja thotë se shumica prej tyre kanë ofruar ekspertizë.

“Janë të gatshëm të ofrojnë ekspertizë në procesin e diskutimit të pr.ligjive ose drafteve por jo pjesëmarrje me ekspertë të posaçëm të dedikuar. Kjo shkon me të njëjtën gjatësi vale në pavarësinë që ka sistemi, ka thënë do u japim ekspertizë, por nuk vijmë me ekspertë aty. Është normale. Unë si ministër ofroj ekspertizën e posaçme për komisionin. Ka të bëjë me mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe çuarjen para të rrugëtimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në këtë proces do duhet të bashkërendojmë kontributet e të gjithëve që ta shkurtojmë rrugën tonë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Janë treguar të gatshëm të ofrojnë ekspertizë, por jo me prezencë. Nuk besoj se është normale që prokurorët të atashohen pranë komisionit të posaçëm, por janë gati të ofrojnë ekspertizë siç na e kanë dhënë. Kemi një praktikë të konsoliduar të bashkëpunimit me organet e drejtësisë”, tha Manja.

Lidhur me skandalin e mikrokredive, Manja thotë se me Bankën e Shqipërisë po punohet për evitimin e përsëritjes së fenomenit dhe se llogaritë bankare të qytetarëve janë zhbllokuar.

“Është përcaktuar një plan veprimi i qartë se si t’i shmangemi këtij fenomeni, nuk janë përmasat e atij fenomeni që është thënë në media. Kemi bërë gati ndryshimet ligjore për shërbimin përmbarimor privat. Ja kemi dërguar Dhomës Kombëtare të Përmbarimit Privat, nuk e kemi hedhur ende për konsultim publik. Sa na takon ne si Ministri e Drejtësisë, mendojmë një paketë ndryshimesh në atë ligj, për të forcuar mekanizmat e kontrollit dhe monitorimit të Ministrisë së Drejtësisë mbi këtë shërbim publik. Të gjitha llogaritë bankare të bllokuara në këtë proces, janë zhbllokuar tashmë në një bashkëpunim që kemi pasur me Prokurorinë e Tiranës. Nuk ka asnjë llogari bankare të bllokuar. Pasuritë kanë një procedurë tjetër”, u shpreh Manja.

Lidhur me një propozim për qarkullim gradash nga Policia, Burgjet, Ushtria apo edhe anasjelltas, Manja tha se kjo do të bëhet për qarkullim burimesh njerëzore.

Ndërsa lidhur me Kodin e ri Penal, ministri theksoi se ai do të kalohet në legjislaturën e ardhshme.

“Drafti i Kodit Penal, një dokument është dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë. Drafti pasi të kornizohet edhe me komentet dhe sugjerimet do lançohet për konsultim publik. Kodi i Ri penal është reformë, lidhet me një kod të ri, ligj material, që do t’i paraprijë zhvillimit të shoqërisë shqiptare në dekadat e ardhshme. S’ka si të kalojë në këtë legjislaturë kur ende nuk është hedhur për konsultim publik. Nuk do jetë një projektligj që do kalojë me 1 muaj ose 2 muaj konsultim publik, ne mendojmë që të jetë minimalisht 6 muaj konsultim publik”, tha Manja.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.