Drejtori i “Migjeni” emërohet nga kryebashkiaku/ Këshilli Bashkiak voton për t’ia kaluar Benet Becit përzgjedhjen e emrit
Emërimi i drejtorit të Teatrit “Migjeni”, nuk është kompetencë e Këshillit Bashkiak. Ky është vendimi i marrë me votë nga këshilltarët bashkiak, të cilën këtë pikë, e hoqën me votim nga rendi i ditës. Uarda Gjekaj, këshilltare e PS- së, dha edhe arsyetimin juridik.Për heqjen nga rendi i ditës të emërimit të titullarit të “Migjenit”, ishte edhe grupi i këshilltarëve të “Bashkë Fitojmë”, por sipas Florian Bjankut, me arsyen se nuk janë respektuar procedurat ligjore.Bashkia propozoi që drejtori i Teatrit “Migjeni” të përzgjidhej nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës, në përmbyllje të një proçesi konkurrimi të hapur e publik. Me 25 vota pro dhe 15 kundër, këshilli bashkiak vendosi që emërimin ta bëjë kryebashkiaku Beci. RTSH Shkodra ka mësuar se ditën e sotme, kandidatët Arian Çuliqi dhe Sara Smaja, janë takuar së bashku me kryebashkiakun Benet Beci, i cili tashmë duhet të emërojë drejtorin e Teatrit “Migjeni”.