Drejtori i policisë kalon Vettingun / Edmond Sulaj i DVP Shkodër konfirmohet në detyrë
Edmond Sulaj, me funksion drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në Policinë e Shtetit, ka kaluar këtë të hënë Vettingun. Mësohet se Edmond Sulajt iu kontrollua pasuria, aftësia dhe pastërtia e figurës, nga trupa e Vlerësimit: Arben Sefaj, kryesues, Denisa Sina, relatore dhe Suela Bulku, anëtare. Trupa e vlerësimit arriti në përfundimin se subjekti i vlerësimit, Edmond Sulaj, në përputhje me nenin 60, ka plotësuar së bashku kushtet e mëposhtme dhe se ndaj tij konstatohet nivel i besueshëm në vlerësimin e pasurisë, në kontrollin e figurës, nivel i mjaftueshëm në vlerësimin e aftësive profesionale. Për këto arsye trupa e vlerësimit të Agejncisë së Mbikëqyrjes Policore , vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit në detyrë, zotit Edmond Sulaj, me funksion Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në Policinë e Shtetit”, tha trupa shqyrtuese.Në lidhje me këtë reagoi edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili tha se procesi i vetëpastrimit të Policisë së Shtetit lidhet ngushtësisht me garantimin e integritetit të drejtuesve të Policisë.“Për këtë qëllim do të vijojë vetingu i funksioneve drejtuese në Policinë e Shtetit si një mekanizëm i domosdoshëm vlerësimi, i cili rrit besueshmërinë e drejtuesve brenda organizatës, por edhe forcon besimin e qytetarëve. Përgëzime Trupave Vlerësuese dhe drejtuesve të AMP për punën voluminoze“, tha Balla. Edmond Sulaj u emërua në në këtë detyrë në tetorin e këtij viti duke zëvëndësuar paraardhësin e tij Ervin Hodaj i cili u largua nga drejtimi i Policisë së Shkodrës për të marrë detyrën në krye të Drejtorisë kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtori të Përgjithshme, detyrë të cilën më herët e kishte mbajtur Edmond Sulaj aktualisht Drejtor i Policisë së Shkodrës.