Ngacmimet seksuale, vetëvrasjet, standardet jo realiste të bukurisë dhe bullizmi janë disa nga çështjet me të cilat të rinjtë ballafaqohen në platformat e mediave sociale, njofton Radio Zëri i Amerikës.
Aktivistët për mbrojtjen e fëmijëve dhe ligjvënësit amerikanë thonë se kompanitë e mediave sociale nuk po bëjnë mjaft për mbrojtjen e fëmijëve. Drejtuesit e kompanive Meta, TikTok, X dhe të tjerë dëshmuan para Komisionit Juridik të Senatit të mërkurën, ndërsa ligjvënësit dhe prindërit janë gjithnjë e më të shqetësuar nga pasojat e mediave sociale për fëmijët.
Seanca në Komisionin Juridik të Senatit filloi me shfaqjen e dëshmive të regjistruara nga fëmijët dhe prindërit që thonë se ata ose fëmijët e tyre janë shfrytëzuar nga mediat sociale. Gjatë seancës, që zgjati disa orë, prindërit e fëmijëve të cilët kanë bërë vetëvrasje për shkak të bullizmit në mediat sociale, në heshtje mbanin fotografitë e fëmijëve të vdekur.
Në një shkëmbim të tensionuar me drejtuesin e kompanisë Meta, Mark Zuckerberg, senatori republikan Josh Hawley pyeti zotin Zuckerberg nëse ai do t’i kompensonte familjet e viktimave për vuajtjet e tyre.
“Nuk mendoj se do ta bëjë këtë”, u përgjigje zoti Zuckerberg.
“Kemi disa familje të viktimave këtu. A do t’i kërkoni ndjesë atyre?”, pyeti senatori Hawley.
Zuckerberg u ngrit në këmbë dhe iu drejtua familjeve të viktimave, që i ngritën më lartë fotografitë e fëmijëve të tyre të vdekur.
“Më vjen keq për vuajtjet tuaja. Askush nuk duhet të përballet me gjërat që u kanë shkaktuar vuajtje familjeve tuaja”, tha zoti Zuckerberg, duke shtuar se kompania Meta po bënë investime në shkallë të gjerë për të mbrojtur fëmijët.
Por, aktivistët e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve dhe prindërit theksojnë se asnjëra nga kompanitë e mediave sociale nuk po bën mjaft për të mbrojtur fëmijët.
“Si mund të prisni që njerëzit këtu në audiencë të besojnë se ne do të ndihmojmë familjet e tyre nëse ne nuk kemi një sistem për të kërkuar llogaridhënie nga këta njerëz?”, pyeti senatori Lindsey Graham.
Ai u tha drejtuesve të kompanive të mediave sociale se ata janë pasuruar nga biznesi i tyre, por tani është koha që të merren me “anën e errët” të platformave të tyre sociale.
“Për shkak të fuqisë së kompanive tuaja nuk janë miratuar projektligjet për këtë çështje. Duhet të jemi të qartë për këtë. Ajo që thoni, fjalët tuaja kanë rëndësi”, tha senatorja Amy Klobuchar.
Kompania Snapchat shprehu mbështetjen mbi projektligjet për llogaridhënie ndaj platformave sociale para fillimit të seancës në Komisionin Juridik të Senatit. Kompanitë e tjera nuk e kanë bërë këtë. Drejtuesi i kompanisë Snapchat, Evan Spiegel përsëriti qëndrimin e kompanisë në mbështetje të projektligjeve për llogaridhënie në seancën e djeshme në Senat.
Drejtuesi i kompanisë TikTok Shou Zi Chew tha se TikTok është vigjilent rreth zbatimit të politikave që ndalojnë përdorimin e aplikacionit të tyre për fëmijë nën moshën 13 vjeç.
Senatorët republikanë dhe ata demokratë, në një shfaqje të rrallë uniteti, shprehën mbështetjen gjatë gjithë seancës për rritjen e sigurisë për fëmijët në platformat e mediave sociale. Por nuk është e qartë nëse kjo do të jetë e mjaftueshme për të miratuar projektligjin Siguria për Fëmijët në Internet, të propozuar nga senatori demokrat Richard Blumenthal dhe senatorja republikane Marsha Blackburn.
Drejtuesit e platformës YouTube, e cila kontrollohet nga kompania Google, nuk ishin ftuar në seancën e djeshme në Komisionin Juridik të Senatit, megjithëse, sipas Qendrës Kërkimore Pew, më shumë fëmijë përdorin platformën YouTube sesa platformat e tjera të mediave sociale.
Marrë nga Radio Zëri i Amerikës
Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se vendimi i dhënë dje për ish-kryeministrin Sali Berisha, i referohet…
Moti i keq me erëra të forta dhe reshje shiu që ka shoqëruar territorin e…
Presidenti Bajram Begaj uroi Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Në këtë datë të shënuar,…
Sot, 22 nëntor shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, i cili u njësua në…
Moti i keq me reshje të dendura shiu ka shkaktuar probleme me furnizimin me energjie…
Ambasada e SHBA ka uruar shqiptarët për Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Në një…
This website uses cookies.