Drejtuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Skëndaj: Gara zgjedhore të jetë e ndershme
Katër muaj para zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit, drejtoresha ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH), Erida Skëndaj, e ftuar në studion e RTSH 24, kërkoi nga partitë politike që të zhvillojnë një proces transparent e të ndershëm.
Skëndaj deklaroi se në respekt të Kodit Zgjedhor, palët politike duhet të mos ndikojnë me forma të papërshtatshme te zgjedhësit.
“Kanë filluar disa nga afatet e Kodit Zgjedhor në këtë proces parazgjedhor, si regjistrimi i emigrantëve dhe ndalimet e shpërdorimit të aseteve publike në funksion të avantazhimit të partive politike.
Kodi Zgjedhor ka disa ndalime dhe prej datës 11 janar këto ndalime kanë filluar. Ndër më të rëndësishmet që parashikon ky Kod është ndalimi për të miratuar akte ligjore dhe nënligjore, që parashikojnë përfitime për kategori të ndryshme sociale, si rritja e pagave, pensioneve, ndihmës ekonomike etj.
Mesazhi ynë kryesor në këtë fazë të procesit është që gara të jetë e ndershme dhe e barabartë, ku secila prej palëve, përveçse të respektojë Kodin Zgjedhor, të respektojë njëkohësisht edhe zgjedhësit, dinjitetin e tyre, të mos ndikojë me forma të papërshtatshme dhe të mos kemi përsëritje të rasteve të shpërdorimit të aseteve publike”, deklaroi Skëndaj.
Sipas drejtueses së KShH-së, partitë politike nuk e kanë respektuar Kodin Zgjedhor në lidhje me hapjen e fushatës elektorale.
Ajo sqaroi se ndonëse Kodi parashikon ndezjen e motorëve elektoralë një muaj para 11 Majit, partitë politike e kanë çelur fushatën tre-katër muaj përpara, me fokus kryesor diasporën.
“Motorët elektoralë kanë nisur shumë më herët se afatet që parashikon Kodi Zgjedhor. Fushata zgjedhore duhet të nisë vetëm 1 muaj para zgjedhjeve, por kjo fushatë ka nisur 3-4 muaj herët publikisht, shpeshherë ka perceptime dhe për takime që nuk bëhen publike, por publikisht ka 3-4 muaj që janë zhvilluar brenda dhe jashtë vendit ku fokus i është kushtuar diasporës. Kodi Zgjedhor ka një lloj ngërçi në kuptimin e financimit të partive politike për çështje zgjedhore, praktikisht ky Kod nuk mbulon kontrollin mbi financat publike që zhvillohen ndërkohë apo që janë zhvilluar më herët”, u shpreh Skëndaj.
Drejtoresha e Komitetit Shqiptar të Helsinkit tregoi disa nga format për përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies për financimin e aktiviteteve elektorale.
“Forma e parë për të bërë ndryshime në Kodin Zgjedhor, por nuk është e rekomandueshme të bëhen 6 muaj para zgjedhjeve sepse do sillnin probleme; të kemi praktika të mira të partive politike që në fund të aktivitetit elektoral të japë koston dhe burimet. Një prej shqetësimeve të OSBE/ODIHR për financimet e errëta të partive politike, për dyshime të lidhura me financime që vijnë nga bizneset që kanë interes për të avantazhuar partitë caktuara politike, njëkohësisht dhe para jo të pastra që vijnë nga kriminaliteti e krimi i organizuar. Sikurse e dimë ka çështje në hetim në SPAK ku deputetë të caktuar akuzohen se janë avantazhuar në saj të ndërhyrjeve të krimit të organizuar e në kontekstin e një demokracie funksionale, bazuar dhe në këto raste konkrete, partitë të tregojnë integritet, transparencë dhe të vijnë nga vetë partitë derisa të bëhet ndryshim i nevojshëm në Kodin Zgjedhor edhe në këtë kuptim”, përfundoi ajo.