Dron nga Rusia apo Ukraina/ Bullgaria shkatërron predhën e gjetur në bregdet
Pesë specialistë të Bazës Detare Bullgare kanë shkatërruar një sërë municionesh të gjetura brenda një droni luftarak që dyshohet se do të përdorej në betejat mes Rusisë dhe Ukrainës.
Droni i rrëzuar në ujërat pranë qytezës Tjulenov, e cila ka dalje në Detin e Zi dhe kufizohet me Rumaninë e Krimenë, u gjet natën e së dielës.
Gjatë inspektimit, specialistët zbuluan një predhë 82 mm me efekt copëzues dhe shpërthyes, por të dëmtuar rëndë. Sipas ekspertëve, nëse predha do të ishte aktive, fragmentet e saj nga shpërthimi do të përbënin rrezik deri në 300 metra distancë. Municioni u shkatërrua me shpërthim të komanduar mëngjesin e së hënës.
Municioni ishte bashkëngjitur me copat e një droni të rënë mbi shkëmbinj në kuvertën e një anijeje, njoftoi Ministria e Brendshme bullgare.
“Droni në Tjulenov me sa duket lidhet me luftën që Rusia filloi kundër Ukrainës,” komentoi ministri bullgar i Mbrojtjes Todor Tagarev për gazetarët.
“Kjo luftë rrit rreziqet për sigurinë tonë. Po, Bullgaria është e ekspozuar ndaj rreziqeve,” shtoi ai. Ministri Tagarev vuri në dukje se Rusia po bombardon portet e Ukrainës që ndodhen vetëm disa qindra metra larg nga territori i Rumanisë.
Ekspertët bullgarë ende mbeten dyshues mbi faktin nëse droni i përket Rusisë si pjesë e artilerisë për të bombarduar portet ukrainase, apo mund të jetë edhe mjet luftarak i Ukrainës që ka pasur për synim sulmet ndaj Krimesë.
/BTA (https://www.bta.bg/en/news/bulgaria/524645-ammunition-round-carried-by-fallen-drone-safely-disposed-of-on-site-at-bulgarian)