DRTK Shkodër prezanton koleksionin e veçantë të xhubletave
DRTK Shkodër prezantoi në faqet e saj online, koleksionin privat të Ilirjan Velos. Ai ruan me fanatizëm një koleksion të çmuar të Xhubletës së Dukagjinit, Malësisë së Madhe, Komanit, dhe Rugovës. Ky është një koleksion privat mbresëlënës i xhubletave që Velo i ka trashëguar si pasuri familjare për shkak të vlerës së tyre artistike, historike dhe ndjeshmërisë sociale të kohës.
Ngjyrat e pasura të elementeve të veshjes, dikur të bëra me dorë, plotësohen nga magjia e stolive, gjë që shpreh më së miri moshën, pozitën familjare dhe sociale të gruas në shoqëri.
Velo, që i vogël një koleksionist i apasionuar, ka ditur të përkujdeset për të mbajtur një trashëgimi të vlefshme që mund të trashëgohet në brezat e ardhshëm si një mënyrë për të përkujtuar ngjarje dhe njerëz të rëndësishëm në jetën e tij dhe historinë e familjes dhe shoqërisë. Ky koleksion xhubletash ka vlerën e vet të veçantë për të, si krenari për paraardhësit dhe krijimet e tyre.