“Dua të luaj deri 39 vjeç”
Robert Levandovski është 35-vjeçar, por ylli i skuadrës së Barcelonës nuk po e mendon tërheqjen nga futbolli aktiv. Sulmuesi polak, që karrierë ka bërë në disa skuadra të Polonisë dhe në Gjermani te Borusia e Dortmundit dhe Bajerni i Mynihut, ka folur të premten për të përditshmen sportive spanjolle “Marka”. “Ende e kam ndjenjën pozitive dhe pasionin për futbollin”, – ka thënë fillimisht sulmuesi i Barcelonës.
“Mendoj se mund të luaj futboll edhe për 3 apo 4 vite të tjerë, sepse ndihem shumë mirë fizikisht”, ka shtuar Levandovski, i cili sidoqoftë nuk po mendon ta vazhdojë profesionin e trajnerit pasi ta mbyllë karrierën e pasur si futbollist.
Polaku, që ka një kontratë deri në vitin 2026 me Barcelonën, ka realizuar 8 gola dhe ka dhënë pasimin e fundit për 4 të tjerë në 17 ndeshje në të gjitha veprimtaritë. Ai fitoi titullin “kampion” dhe Superkupën e Spanjës në sezonin e parë me Barcelonën, ndërkohë që beson dhe shpreson të fitojë sërish. Sidomos Ligën e Kampioneve, trofe që në “Kamp Nou” mungon prej vitit 2015.
Sa i përket të ardhmes, ai e ka mbajtur gjithçka të hapur, teksa thotë: “Nuk e mbaj mendjen te fitoret dhe sukseset e mia. Ende kam një pasion të madh brenda meje. Mendoj se mund të luaj futboll edhe për 3-4 sezone, sepse jam në formë të mirë fizike. Do të jetë e vështirë të jetoj pa qenë futbollist, por të jesh trajner… e di që është një punë shumë e vështirë”, – ka përfunduar Robert Levandovski.