Duhet kursyer uji në Katalonjë, lojtarët e Barcelonës detyrohen të lahen në shtëpi
Thatësira ka vënë në alarm Katalonjën dhe ka detyruar qeverinë rajonale që të marrë një seri masash drastike për të reduktuar konsumin e ujit në ambiente publike dhe private. Një pjesë e këtyre vendimeve do të ndikojnë edhe te Barcelona, në veçanti tek impiantet sportive të klubit: qëndrën stërvitore të skuadrës “Ciutat Esportiva Joan Gamper” dhe stadiumin “Lluís Companys”, ku katalanasit luajnë ndeshjet shtëpiake këtë sezon për shkak të rikonstruktimit të mitikut “Camp Nou”.
“Klubi i futbollit Barcelona konsumon ujë në disa ambiente të ndryshme dhe duhet të kompesojë ujin që përdor për ujitjen e fushës me atë të dusheve. Të gjitha ambientet e klubit kanë detyrim që të reduktojnë konsumumin e ujit, prandaj duhet të vendosin nëse do të përdorin ujin për fushën apo për dushet”, ka deklaruar David Mascort, që është këshilltar i qeverisë katalane për klimën.
Detyrishmisht Xavi dhe stafi i tij duhet të vendosin nëse do të reduktojnë, ose të ndalojnë në disa ditë ujitjen e fushës, që lojtarët të mund të bëjnë dush pas seancës stërvitore. Ose për të ruajtur gjendjen e mirë të fushës (gjë që tekniku e ka shumë përzemër) lojtarët të shkojnë të lahen në shtëpitë e tyre pas stërvitjes.