Dumani: Pastrimi i parave, më i favorshëm në pasuritë e paluajtshme, ndërtim, real estate
Në emisionin ‘3D nga Alban Dudushi’ në RTSH, kreu i SPAK-ut Altin Dumani, gjatë intervistës ekskluzive, vuri theksin dhe te lufta ndaj krimit të organizuar që po zhvillon SPAK-u, pasi krimi i organizuar shqiptar është i përhapur thuajse në të gjithë Evropën, madje deri në Amerikën Latine.
“Krimi i organizuar shqiptar është i orientuar kryesisht drejt trafikimit të drogave të forta. Nuk është problem vetëm për Shqipërinë, por edhe për shumë vende në Evropë, deri në Amerikën Latine. Kemi shtuar bashkëpunimin ndërkombëtar. Kemi bashkëpunim me Italinë, kemi grupe të përbashkëta hetimore. I kemi dhënë goditje të mëdha krimit të organizuar. Kemi bashkëpunim me Belgjikën, Francën, Gjermaninë, Anglinë, por dhe Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi etj. Shumë figura të larta të hetimit ndërkombëtar kanë vizituar SPAK. Kemi shumë punë për të bërë dhe ka nevojë për intensifikim dhe duke pasur parasysh këtë nivel bashkëpunimi besoj se do të ketë goditje të tjera. Ne kemi bërë një analizë për grupet kriminale të organizuara për fuqinë e tyre financiare. Fusha më e preferuar është investimi në pasuritë e paluajtshme, ndërtim, hoteleri etj. Kemi sekuestruar 6 milionë euro kesh gjatë këtij viti.”, tha Dumani.