Dumani: Thyerja e mitit të pandëshkueshmërisë e lodhshme, por jo e pamundur
Kreu i SPAK, Altin Dumani ka zhvilluar këtë të enjte (25 janar) një takim me studentë në Universitetin e Shkodrës, nga ku ka deklaruar se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka treguar se është në gjendje të përballet me grupet kriminale që kanë lidhje edhe me politikën. Thyerja e mitit të pandëshkueshmërisë, sipas kreut të SPAK, është e lodhshme, por jo e pamundur.
Ai shtoi më tej se, për të folur për suksese do duhet të pritet vendimi i gjykatave për subjektet e nivelit të lartë.
“SPAK në dhjetor bëri 4 vjet nga krijimi. Ai është bërë funksional vetëm vitin e kaluar pasi u plotësua organika. I kushtojmë rëndësi kryesore integritetit. Duhet të kesh vlera profesionale dhe integritet në detyrat e mëparshme. I nënshtrohemi vettingut, heqim dorë nga privatësia, kemi dorëzuar e-mail, nr tel, e çdo gjë tjetër. Ndërsa drejtuesit e BKH i nënshtrohen edhe testit të poligrafit.
Mirë ka bërë ligjvënësi që ka vënë këto kritere. Jemi përpjekur të vendosim njerez me integritet. Koha do ta tregojë pasi jo çdo gjë shkon vaj. Kemi dhënë shenja se jemi në gjendje të përballemi me grupet kriminale, përtej forcës që kanë dhe lidhjeve edhe me politikën. Jemi përditë në këtë luftë. Kemi dhënë shenja. Për të folur për suksese duhet të presim vendimin e gjykatave, për subjektet e nivelit të lartë. Po tentojmë të thyejmë mitin e pandëshkueshmërisë. Është e lodhshme, por jo e pamundur”, tha Dumani para studentëve, takim ky që vjen në kuadër të një projekti të Komitetit Shqiptar të Helsinkti mbi luftën kundër korrupsionit.