DVP Shkodër/ Kontrolle të vazhdueshme në të gjithë qarkun, për rritjen e parametrave të sigurisë.
Tentuan të largoheshin kur panë automjetin e Policisë, pasi kishin lëndë narkotike në automjet, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas (drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri).
Sekuestrohen sasia e lëndës narkotike kanabis, automjeti dhe 2 celularë.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, gjatë patrullimit në terren, për rritjen e parametrave të sigurisë, kanë konstatuar në fshatin Grudë, një automjet të ndaluar. Sapo ka parë automjetin e Policisë, drejtuesi i automjetit ka tentuar të largohet, por falë veprimeve të shpejta operacionale të punonjësve të Policisë është bërë ndalimi i automjetit.
Gjatë kontrollit në këtë automjet, poshtë sediljes së pasagjerit, shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.
Në përfundim të veprimeve procedurale, nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve të DVP Shkodër, u arrestuan në flagrancë shtetasit Gj. Z., 32 vjeç (drejtuesi i automjetit) dhe F. P., 18 vjeç (pasagjeri).
Automjeti tip “Ford” dhe lënda narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me aparatet celularë të këtyre shtetasve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.