Dy aksidente me 3 të plagosur në Lezhë/ Bilanc i frikshëm në ditët e fundit
Tre të plagosur është bilanci i dy aksidenteve të ndodhura paraditen e së enjtes në rrugët e Qarkut të Lezhës.
Aksidenti i parë ndodhi rreth orës 9 e 30 minuta në superstradën Lezhë–Shkodër, në afersi të fshatit Mabë, ku një automjet tip “Audi” u përplas me një kamper në të cilin udhëtonin një çift turistësh gjermanë. Nga aksidenti mbetën të plagosura dy vajza, të cilat me lëviznin me autoveturën.
Ata u dërguan për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku ndodhen nën kujdesin e bluzave të bardha, njëra prej të cilave në gjendje më të rëndë për shkak të frakturave të marra në disa pjesë të trupit.
Pak minuta më vonë një tjetër aksident u regjistrua në aksin rrugor Lezhë–Shëngjin, pranë lagjes “Sakë”. Një motorçikletë në të cilën lëvizte një 31-vjeçar u përplas nga nja automjet i cili u largua nga vendi i ngjarjes.
Nga aksidenti mbeti i plagosur drejtuesi i motorçikletes Marsido Pali, i cili u dërgua me urgjence në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë policia po punon për identifikimin e automjetit që përplasi motorçikleten si dhe zbardhjen e rrethanave të këtyre dy aksidenteve.
Në harkun kohor të dy ditëve në rrugët e Lezhës kanë ndodhur 5 aksidente, me një bilanc të frikshëm 1 e vdekur dhe 8 persona të plagosur.