Dy aksidente me tre të plagosur/ Këtë javë 5 aksidente në qarkun e Lezhës
Tre të plagosur është bilanci i dy aksidenteve të ndodhura paraditen e së enjtes në rrugët e Qarkut të Lezhës.Aksidenti i parë ndodhi rreth ores 9:30 minuta në superstradën Lezhë-Shkodër, në afërsi të fshatit Mabë, ku një automjet tip audi u përplas me një kamper në të cilin udhëtonin një çift turistësh gjermanë.Nga aksidenti mbetën të plagosura dy vajza të cilat lëviznin me autoveturën Audi.Ato u dërguan për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku ndodhen nën kujdesin e bluzave të bardha njëra prej të cilave në gjendje me të rëndë për shkak të frakturave të marra në disa pjesë të trupit.Pak minuta më vonë një tjetër aksident u regjistrua në aksin rrugor Lezhë-Shëngjin, pranë lagjes “Sakë”.Një motorçikletë në të cilën lëvizte një 31-vjeçar u përplas nga një automjet i cili u largua nga vendi i ngjarjes.Nga aksidenti mbeti i plagosur drejtuesi i motorçikletës Marsido Pali, i cili u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.Ndërkohë policia po punon për identifikimin e automjetit që përplasi motorçikletën si dhe zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të këtyre dy aksidenteve.Në harkun kohor të dy ditëve në rrugët e qarkut të Lezhës kanë ndodhur 5 aksidente, me një bilanc të frikshëm 1 e vdekur dhe 8 persona të plagosur.