Dy helikopterë BlackHawk do t’i shtohen FA, Peleshi: Investim i rëndësishëm për të përmbushur misionet taktike

helikoptere BlackHawk
Forcave të Armatosura do t’i shtohen dy helikopterë amerikanë BlackHawk në fund të këtij muaji. Në një postim në Facebook, Ministri i Mbrojtjes, Niko Pelesho e konsideroi këtë si një investim të madh, që sipas tij do ndihmojë vendin për të përmbushur misionet taktike.
“Dy helikopterë amerikanë BlackHawk do të shtohen në arsenalin e Forcave të Armatosura në fund të këtij muaji. Një investim i madh dhe një hap i rëndësishëm që do të na japë fuqinë dhe përkushtimin e nevojshëm për të përmbushur misionet taktike dhe operacionet e emergjencave me më shumë efikasitet dhe siguri”, shkruan Peleshi.
Sipas Ministrit, marrja e këtyre dy helikopterëve tregon edhe se vendi po investon në forcën dhe sigurinë e tij.
“Ky lajm i shumëpritur në këtë fillimvit, në bashkëpunim me partnerin dhe aleatin tonë strategjik SHBA është një shenjë e qartë se vendi ynë po investon në forcën dhe sigurinë e tij, duke e bërë Shqipërinë një vend më të sigurt dhe të përgatitur për sfidat e ardhshme”, thekson Peleshi.