Dy ministra të koalicionit qeveritar izraelit kërcënojnë Netanjahun me dorëheqje
Dy ministra të koalicionit qeveritar izraelit kanë kërcënuar me dorëheqje nëse kryeministri Netanjahu dakordësohet me propozimin e presidentit amerikan për arritjen e një armëpushimi në Gazë.
Dy ministra izraelitë të ekstremit të djathtë kanë kërcënuar të dorëhiqen dhe t’i hapin kështu rrugë rrëzimit të koalicionit qeverisës, nëse kryeministri Benjamin Netanjahu bie dakord me propozimin e paraqitur nga presidenti amerikan Joe Biden për armëpushim në Gazë.
Ministri i Finaincave Bezalel Smotrich dhe ai i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir u shprehën kundër arritjes së ndonjë marrëveshjeje para shkatërrimit të grupit militant të Hamasit.
Koalicioni qeveritar i krahut të djathtë që drejtohet nga Netanjahu ka një mazhorancë të brishtë në parlament, ku partia Fuqia Hebreje e Ben Gvir ka gjashtë deputetë dhe partia zionismi fetar i Smotrich ka shtatë deputetë.
Vetë Netanjahu ka këmbëngulur se nuk do të ketë armëpushim të përhershëm derisa aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit të shkatërrohen dhe të lirohen të gjitha pengjet.
Propozimi i paraqitur nga presidenti Biden parashikon nisjen e një armëpushimi 6-javor gjatë të cilit forcat e mbrojtjes së Izraelit tërhiqen nga zonat e populluara të Gazës.
Marrëveshja çon në lirimin e pengjeve, një ndalje të përhershme të armiqësive dhe një plan madhor rindërtimi për Gazën.