Dy të arrestuar në Shkodër, kundërshtim i punonjësit të policisë, armëmbajtje pa leje dhe shitje të narkotikëve
Policia Kufitare e Muriqanit ndaloi një 61- vjeçar banues në Lezhë, pasi nga verifikimet e kryera rezultoi se kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, që i kishte caktuar Gjykata e Lezhës, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve, i DVP Shkodër, ndaloi një shtetas 37 vjeç, banues në Shkodër, pasi Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Ndërkohë Seksioni i Krimeve Ekonomiko-Financiare referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për dy shtetas banues në fshatin Postribë, pasi gjatë kontrolleve të ushtruara në subjektet e tyre tregtare, në Velipojë, rezultoi se aktiviteti ishte i paregjistruar në organet tatimore dhe fshihnin të ardhurat e përfituara prej tij. Sektori i Policisë Rrugore referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për një shtetas nga Shkodra pasi, automjeti që drejtonte u përplas me një tjetër automjeti me drejtues një 40- vjeçar dhe si pasojë u dëmtua (pasagjeri), i cili është jashtë rrezikut për jetën.
Po ashtu u referuan materialet në prokurori për një shtetase hungareze, pasi duke drejtuar automjetin e saj, ka humbur kontrollin dhe automjeti ka dalë nga rruga dhe si pasojë mori plagë të lehta. Ndërkohë, sipas policisë, edhe një 17-vjeçar është proceduar penalisht, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, sqaron policia.