Dy vite nga agresioni rus, Hasani: Duke mbështetur Ukrainën kontribuojmë në stabilitetin e rajonit
Në dy vjetorin e pushtimit rus mbi Ukrainën, Shqipëria ka qëndruar gjithmonë krah popullit ukrainas për të drejtën e tyre për liri dhe sovranitet nga lufta e paligjshme e nisur nga Rusia.
Ministri i Jashtëm Igli Hasani, përmes një videomesazhi, ka shprehur krenarinë për rolin që Shqipëria ka luajtur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për fitimin e mbështetjes diplomatike për Ukrainën dhe qëndrimit në të njëjtën linjë me aleatët perëndimor për dënimin e këtij agresioni.
Duke i shprehur të gjithë solidaritetin popullit ukrainas, ministri Hasani shprehet se Ukraina do të ketë gjithmonë në krah aleatët e saj dhe se Shqipëria do të bëj maksimumin për ta mbështetur atë.
“Dy vite më parë, e gjithë bota shikonte me tmerr se si Rusia filloi luftën e saj të paligjshme dhe agresive kundër Ukrainës. Pa provokim, pa justifikim, ushtria ruse nisi një pushtim kundër një kombi sovran dhe të pavarur në Europë, diçka që kontinenti ynë nuk e kishte parë që nga Lufta e Dytë Botërore. Prej Dy vitesh ne kemi qenë dëshmitarë të tmerreve të këtij pushtimi, shkatërrim, plaçkitje, përdhunime, vrasje të civilëve të pafajshëm dhe rrëmbime të mijërave fëmijëve ukrainas. Bucha mbahet mend për barbaritë e shfaqur nga ushtria ruse kundër komb it të lirë dhe të pavarur ukrainas. Që prej dy vitesh ne kemi qenë dëshmitarë të trimërisë dhe guximit të popullit ukrainas. Rezistenca e tyre heroike ka fituar admirimin e mbarë botës dhe ka mobilizuar solidaritet dhe mbështetje të pashoqe. Jam krenar për rolin që Shqipëria ka luajtur në mbështetje të Ukrainës, përkrah aleatëve dhe partnerëve tanë. Jam veçanërisht krenar për rolin që Shqipëria ka luajtur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të fituar mbështetjen diplomatike për Ukrainën dhe për të izoluar dhe dënuar Rusinë nën luftën e saj të paligjshme. Ne kemi bërë të pamundurën për të mbështetur Ukrainën sepse besojmë te Ukraina dhe populli i saj. Ne kemi bërë maksimumin për të mbështetur Ukrainën dhe popullin e saj edhe sepse kuptojmë se lufta e tyre është një luftë për sigurinë e Evropës dhe sistemin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Çdo gjë tjetër do të inkurajonte çdo diktator dhe komb mashtrues në botë që të ndjekë rrugën e Vladimir Putin duke e zvogëluar kështu ligjin ndërkombëtar në ligjin e xhunglës”, tha Hasani.
Ministri shton se lufta në Ukrainë ka ndikuar seriozisht edhe në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit dhe sipas tij, duke ndihmuar Ukrainën do të kontribuohet edhe në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit dhe Evropës.
Në mbështetje të Ukrainës, në Tiranë do të organizohet më 28 shkurt Samiti Ukrainë-Ballkani Perëndimor.
“Për ne, në Ballkanin perëndimor, lufta në Ukrainë ka ringjallur kujtime dhe emocione të dhimbshme të viteve 1990, ku rajoni ynë ishte shtëpia e luftës së fundit në Evropë. Por lufta në Ukrainë ka ndikuar seriozisht edhe në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë. Prandaj më 28 shkurt në Tiranë, ne do të organizojmë Samitin Ukrainë-Ballkani Perëndimor. Ky Samit do të ofrojë një mundësi për liderët nga Ballkani perëndimor dhe Evropa Juglindore për të diskutuar se si ne mund të punojmë së bashku dhe se mund të ofrojmë të gjithë mbështetjen që mundemi për Ukrainën të vetëdijshëm se duke ndihmuar Ukrainën ne po kontribuojmë gjithashtu në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë dhe Evropës. Slava Ukraini”, tha Hasani në videomesazhin e tij.