Dy vrasje brenda një nate në Prishtinë, prokuroria po punon për rrethanat e dy ngjarjeve
Një vrasje me armë zjarri ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në Kosovë. Lajmin për KosovaPress e ka bërë të ditur zëdhënësja e Policisë së Prishtinës.
Sipas saj viktima u gjet pa shenja jete brenda makinës. “Policia në bashkëpunim me prokurorinë, kanë nisur hetimet për sqarimin e plotë të ngjarjes”, u shpreh ajo.
Ndërsa Prokuroria konfirmoi për mediat vendase se nga të dhënat e deritanishme dyshohet për grabitje me pasojë vdekjen.
Ndërkohë ish-presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli duke e quajtur tragjedi vrasjen, ka konfirmuar se viktima është bashkëshortja e këshilltarit të tij, Naim Murseli.
Ai ka publikuar një fotografi të çiftit, duke theksuar se ndan dhimbjen me familjen e së ndjerës.
Mbrëmjen e së mërkurës në kryeqytetin e Kosovës u regjistrua edhe një vrasje tjetër, viktima rreth 29 vjeç dyshohet se ndërroi jetë pas një goditjeje me thikë.