Dyshohen për lidhje me Ndragetën, një murgeshë mes 25 të arrestuarve në Itali
25 persona, mes të cilëve edhe një murgeshë, janë vënë në prangat e policisë italiane pasi dyshohet se janë pjesë e një bande kriminale, që ka lidhje të ngushta me organizatën më të fuqishme mafioze të vendit, Ndragetën.
Besohet se murgesha shërbente si ndërmjetëse mes bandës kriminale dhe anëtarëve të saj që ishin ndërkohë në burg.
Mes të arrestuarve ndërkohë është edhe një ish-këshilltar i komunës së Breshës dhe anëtar i Vëllezërve të Italisë, partisë së drejtuar nga kryeministrja Xhorxha Meloni, si dhe një ish-politikan i Lega Nord (Lidhja e Veriut), partia pjesë e koalicionit qeveritar të Melonit.
Më shumë se 1.8 milionë euro u sekuestruan gjatë bastisjeve që policia italiane ndërmori në disa qyteza në Lombardi, Veneto, por edhe Kalabri.
Të dyshuarit akuzohen për një sërë krimesh, si zhvatje, trafikim armësh, lëndësh narkotike dhe mallrash të vjedhura, krime tatimore, pastrim parash dhe në rastin e politikanit të Lega Nordit, blerje votash.
Prokurorët argumentojnë se politikani i Vëllezërve të Italisë ndërkohë ka ndihmuar edhe në ekzekutimin e krimeve të bandës.
Për sa i përket murgeshës, Rai News raporton se ajo ishte vullnetare në burgun San Vitore në Milano që nga viti 2010 dhe gjithashtu ka punuar edhe në burgjet e Pavias dhe Romës, ku ka shfrytëzuar petkun, i cili i mundësonte akses në objektet penitenciare për të siguruar lidhjet mes bandës dhe të burgosurve.