E-Albania ndihmë edhe përmes chat-it
Kryeministri Edi Rama deklaroi të martën, se në muajt në vijim platforma e-Albania do të fillojë të ofrojë ndihmë për qytetarët edhe përmes chat-it.
Gjatë takimit të Asamblesë së Zgjeruar të Partisë Socialiste në Durrës, zoti Rama tha se komunikimi me platformën e-Albania më pas do të kalojë në një stad të ri, atë të komunikimit me një asistent.
“Ambicia ime është të fusim shtetin në pasqyrën e çdo celulari. Çdokush të ketë shtetin aty, për çdo gjë. Kemi bërë hapa të mëdhenj në këtë drejtim, por ka akoma për të bërë, duke shfrytëzuar edhe inteligjencën financiare që na jep mundësinë të bëjmë gjëra të jashtëzakonshme. Dhe në një kohë të shkurtër, do të shikoni që e-Albania do të jetë me chat dhe do të komunikoni duke bërë pyetje e duke marrë përgjigje e orientime. Duke pasur në dispozicion një asistent fillimisht me chat dhe më pas me video”, tha kryeministri.