E diela në trafik/Sezoni turistik rëndon hyrje-daljen e qytetit

Kjo e dielë ka sjellë trafik të rënduar në hyrje të qytetit të Shkodrës. Gjatë fundjavës u krijuan radhë të gjata dhe pritje pa fund për ata që iu drejuan kryeqytetit, plazhit të Velipojës apo pikës së kalimit kufitar të Muriqanit, si shkak i lëvizjes së shumë pushuesve.Më së shumti, kjo situatë e rënduar konstatohet në hyrje të qytetit, ku dy nyjet më problematike janë ato tek zona e Harkut të Bërdicës, pjesa ku destinacioni i automjeteve spostohet në segmentin tjetër në drejtim të plazhit të Velipojës dhe për të vijuar përgjatë Urës së Bahçallëkut, Urës së Bunës e deri në lagjen Xhabiaj, ku radha e automjeteve ishte kilomterike. Edhe këtë sezon turistik, Shkodra duket se do të jetë e destinuar të vuajë trafikun kaotik që paralizon me minuta të tëra hyrje-daljen në qytet.