E konfirmon Policia: Një grabitës i vrarë dhe një polic i plagosur – shtatë të arrestuar
Policia e Kosovës dhe Prokuroria kanë dalë me një komunikatë të përbashkët për media rreth aksionit për kapjen e grabitësve të argjendarisë në Suharekë, ku kanë bërë me dije se njëri nga grabitësit është vrarë, derisa një polic është plagosur.
Në njoftimin thuhet se sa i përket grabitjes së armatosur në Suharekë, Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka vazhduar hetimet intensive, me qëllim të zbardhjes së rastit dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar.
“Si rezultat i hetimeve të pandërprera fillimisht ishin arrestuar tre persona të dyshuar për ndihmë në kryerje të veprës penale të grabitjes, përderisa hetimet drejt identifikimit dhe ndriçimit të rastit kanë vazhduar deri më sot, kur edhe është realizuar operacioni policor”, thuhet aty.
Sipas medias në Kosovë, autoritetet kanë bërë me dije se pas hetimeve dhe mbledhjes së dëshmive, këtë të mërkure, në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë është realizuar operacioni policor “i cili ka përfshirë kontrollin në shtatë lokacione të ndryshme, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar”.
“Gjatë zhvillimit të operacionit policor, një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre, duke plagosur një zyrtar policor”.
“Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar, përderisa katër të dyshuar të tjerë janë arrestuar. Deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në shtatë persona, një i neutralizuar dhe një tjetër ende gjendet në kërkim policor”, theksohet aty.
Bëhet me dije se zyrtarit policor i është ofruar ndihma mjekësore në ShSKUK, “ku sipas informatave të para nga mjekët kompetentë i njëjti është jashtë rrezikut për jetë”.
“Vlen të potencohet se personat e dyshuar kanë të kaluar kriminale me dyshimet e bazuara për përfshirje në vepra penale si: vrasje, grabitje, vjedhje e rëndë, sulm, kanosje, lëndim trupor, detyrim, armëmbajtje pa leje etj”.
Të gjitha veprimet e mëtejme policore, theksohet aty, do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë kompetente.
Ndryshe, Albanian Post është duke qëndruar në vendin e ngjarjes, ku policia ka bllokuar rrugët deri në përfundimin e aksionit – që nuk dihet sa do të zgjasë.
Policia e Kosovës, këtë të enjte, po kryen një operacion në lagjen “Dragodan” në kryeqytet për kapjen e të dyshuarave të tjerë për grabitjen e 22 nëntorit në një argjendari në Komunën e Suharekës.
Pjesë e operacionit për lokalizimin e të dyshuarve për grabitjen e argjendarisë në Suharekë, janë edhe Njësia Speciale Intervenuese.
Ky aksion i policisë vjen pas arrestimit të dy të dyshuarve për grabitjen në argjendarisë në Suharekë, për të cilët nga Prokuroria u tha se nuk kanë qenë pjesëmarrës direkt, por kanë asistuar grabitësit në përgatitjen e planit.
Grupi në përbërje prej katër personave dyshohet se kreu vjedhje mbi 250 mijë euro.
Burime të Albanian Post kishin thënë se dyshohet për një grup të përbërë nga ish-të burgosur me të kaluar kriminale të cilët janë liruar rishtazi nga burgjet e Kosovës dhe një pjesë tjetër nga persona që kanë marrë pjesë në luftëra në shtete të tjera jashtë Kosovës.