E veçantë- Policia e Shtetit hap procedurat për shitjen me ankand të qenit ‘Aksi’, publikohet çmimi fillestar
Qeni me emrin ‘Aksi’, i moshës 3 vjeç, nuk do të jetë më në radhët e Policisë së Shtetit. Ai, sipas një vendimi zyrtar, botuar edhe në Fletoren Zyrtare, do të shitet në ankand. Shuma me të cilën nis ankandi është 10 mijë lekë dhe zhvillohet me datë 7 mars 2024 ora 10.00.
Në dukje pak e ‘pazakontë’, por ligjërisht të gjithë qentë që punojnë përkrah policisë, janë pjesë e inventarit shtetëror. Ata, në rast të shitjes ose largimit nga radhët e policisë, dalin në ankand dhe i nënshtrohen në shitje ligjit për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore, që privatizohet apo transformohet, ku përcaktohet edhe procedura e shitjes.
Do të jetë Instituti i Përgatitjes së Qenve të Policisë, Tiranë, institucioni i cili do të zhvillojë procedurat e shitjes në ankand.
Çdo person fizik apo juridik i interesuar që është i interesuar për blerje duhet të paraqesë në vendin, datën dhe orën e njoftuar pranë komisionit të ankandit, dokumentacionin si më poshtë:
- Kërkesë me shkrim për blerje e regjistruar pranë protokollit të Ministrisë së Financave.
- Garancinë bankare apo mandatpagesën në origjinal, që vërteton ngurtësimin e 20 % të vlerës së fillimit të ankandit, në lek, për llogari të Ministrisë së Financave.
- Dokument identifikimi (pasaportë biometrike ose letërnjoftim).
Ankandi
Pjesëmarrësi në ankand, i cili tërhiqet nga ankandi pa dhënë asnjë ofertë për vlerën e shpallur për shitje, i konfiskohet 20% e garancisë bankare, e ngurtësuar për pjesëmarrje në ankand.
Garancia bankare apo mandatpagesa duhet të bëhet detyrimisht brenda afatit të pranimit të kërkesave për pjesëmarrje në ankand.
Garancia bankare apo mandatpagesa mund të bëhen pranë çdo banke të nivelit të dytë në llogaritë respektive të hapura për Ministrinë e Financave, pasi personat e interesuar të kenë tërhequr pranë DPSH-së ose degëve të thesarit në rrethe faturën për arkëtim të plotësuar dhe të nënshkruar nga përfaqësuesi i institucionit.