Edhe Suedia kundër vetos greke- Intervistë ekskluzive e ambasadorit për RTSH-në
Ditët e fundit mediat greke kanë publikuar një kundërshtim të vendimit të Këshillit Europian për Shqipërinë në dhjetor, nëse një kryetari bashkie, i arrestuar në flagrancë e që ndodhet në burg me akuzë për blerje votash, nuk i jepet leje e posaçme që të betohet.
Në një intervistë ekskluzive për Televizionin Publik, ambasadori i Suedisë në Tiranë, Niklas Ström, deklaron se vendet anëtare janë duke marrë një vendim për këtë gjë dhe kjo nuk është çështje dypalëshe Greqi-Shqipëri.
Intervista
Si e vlerësoni qëndrimin e Greqisë në raport me instancat europiane, ku një çështje e drejtësisë për të cilën Shqipëria ka marrë vlerësim në këtë raport, tentohet të mbivendoset në sfondin e trajtimit të pakicave greke në Shqipëri?
Ambasadori: E njoh çështjen dhe jemi duke e ndjekur në media atë që po ndodh, por nuk është roli im që të komentoj për proceset ligjore, si po punojnë institucionet dhe çfarë vendimi duhet të marrin. Nga këndvështrimi suedez ne shpresojmë që çështja Beleri nuk duhet të ndikojë në mënyrë të panevojshme hyrjen në Bashkimin europian. Ne shpresojmë që BE të marrë vendimin e hapjes së kapitujve të parë për Shqipërinë para fundit të këtij viti.
Unë nuk di vendimin grek, por atë që ata kanë dërguar, njoh komentet që janë bërë, ndërsa BE-ja duhet të marrë vendimin për Shqipërinë dhe pikërisht për hapjen e kapitujve dhe ky është vendimi që është duke u marrë në Bruksel. Të gjitha shtetet anëtare duhet të marrin këtë vendim, përfshirë dhe Greqinë. Vetë Suedia është gjithmonë duke e mbështetur nisjen e bisedimeve për kapitujt e parë.
Pas publikimit të raportit vjetor, cilat janë pritmëritë tuaja referuar dhe fushave urgjente ku duhet të ndërhyrë ose duhen dhënë garanci për të arritur këtë hap.
Ambasadori: Suedia është mbështetëse shumë e madhe e zgjerimit të Bashkimit europian dhe e objektivit të Shqipërisë për të qenë vend anëtar i Be-së. Ne e mbështesim këtë politikisht, por edhe me aktivitetin tonë këtu. Ne shpresojmë shumë që Shqipëria të arrijë në hapin tjetër dhe shumë shpejt të nisin bisedimet për kapitujt e parë të grupimit të parë, brenda këtij viti të merret vendimi të cilin Suedia e mbështet shumë.
Po ashtu, ne mirëpresim raportin e ri të Komisionit europian, por edhe planin ekonomik të rritjes. Ne pamë përparimin që Shqipëria ka bërë në shumë kapituj dhe kritere që është shumë pozitiv.
Ne pamë se Shqipëria është përgatitur mirë në një numër drejtimesh si politika e jashtme, e mbrojtjes dhe në disa fusha të ekonomisë së tregut. Gjithashtu përparimin e konstatuar në fushën e drejtësisë, në luftën kundër korrupsionit e shohim si shumë të rëndësishme së bashku me nxitjen e mëtejshme për të vazhduar përpjekjet në këtë drejtim, ashtu si dhe përpjekjet për të përmirësuar legjislacionin për lirinë e medias dhe të shprehjes, për pakicat.
Është një kohë interesante kjo që kemi tani si dhe momentumi në BE për zgjerimin bashkë me rolin shumë pozitiv që Shqipëria po luan për veten e saj, por edhe për rajonin që të shfrytëzojë mundësinë tani për vazhdimin e përpjekjeve për reformat e nevojshme, luftën kundër korrupsionit dhe për çështjet themelore të shtetit të së drejtës që të përparojë me statusin e saj në BE.
Me zhvillimin e mëtejshëm të proceseve të Shqipërisë drejt BE-së, ku e sheh veten Suedia si ndihmë?
Ambasadori: Suedia është një partnere afatgjatë e Shqipërisë. Ne jemi këtu prej 20-30 vitesh të mbështesim Shqipërinë, të zhvillojmë bashkëpunimin dhe reformat që dëshiron të bëjë Shqipëria për veten e saj, por tani edhe për ato që i duhen për anëtarësimin. Ne jemi një nga dhuruesit më të mëdhenj dypalësh për Shqipërinë.