Edi Rama i ashpër me ndërtuesit: Mos gënjeni me çmimet e apartamenteve që shisni
Kryeministri Edi Rama u ka bërë apel ndërtuesve që të mos gënjeni me çmimet kur shesin apartamentet. Gjatë një takimi me përfaqësuesit e biznesit, Rama theksoi se ndërtuesit nuk duhet të abuzojnë me çmimet e apartamenteve ndryshe nga sa parashikojnë çmimet e referencës.
“Nuk e kishit parashikuar që do të vinte një ditë që shteti do t’u thoshte stop sepse ndërkohë që ju ndërtoni dhe kontribuoni në ekonomi, por paralelisht bashkitë duhet të ndërtojnë infrastrukturën, duhet të rindërtojnë hapësirat e rreth e rrotull që nuk merrni përsipër të bëni gjë. E kështu me radhë duke filluar që nga Tirana.
Epo që ju të shisni apartamente me 2 mijë, 3 mijë, 4 mijë, 5 mijë, 6 mijë apo të shisni hapësira biznesi me 7 mijë apo me 8 mijë euro dhe të deklaroni atje çmime që janë larg të së vërtetës kjo nuk mund të vazhdojë dhe çmimet e referencës nuk janë vënë në mënyrë arbitrare por janë vendosur mbi bazën e tregut sepse nuk është e vështirë të marrësh vesh që sa shitet një metër katror te blloku dhe sa shitet një 1 m2 te liqeni apo tek Astiri e kështu me radhë”, u shpreh Rama.
Rama theksoi më tej se ndërtuesit duhet të përfshijnë tre përqindëshin për kontribut social në ndërtimet që ata realizojnë.
“Është bërë një studim i tregut, janë marrë çmimet reale dhe ju është vënë juve detyrimi që ju të përgjigjeni ndaj shtetit, ndaj shoqërisë dhe ndaj gjithë të tjerëve në bazë të çmimeve reale. Sa doni të fitoni ju në këtë histori?
Është e drejta juaj të fitoni sa më shumë, nuk është detyra e biznesit që të sigurojë që detyrimet ndaj shtetit, t’i mbledhë ato, por është detyra e shtetit.
Kështu që mos ta dëgjoj më këtë historinë e vendosjes së një niveli të arsyeshëm të asaj që shteti kërkon kur ti shkon e deklaron shitjen sepse kur ti gënjen atëherë shteti ka detyrë të thotë që këtu nuk është kaq dhe bërë një kohë e gjatë që është qëndruar në çmime të vjetra ndërkohë që çmimet rriten çdo javë” , tha Rama.
Sipas Ramës, në rritjen e çmimeve të apartamenteve duhet të përfitojnë të gjithë dhe për këtë arsye nevojitet prej ndërtuesve kontributi social prej 3 %.
“Rritja e çmimeve është shenjë shumë e mirë por nga ana tjetër është një rritje që duhet të përfitojnë të gjithë. Të duket shumë 3 për qind kontribut social për çdo ndërtim. E ke gabim! Mos ejani këtu të bëni si shtresë në nevojë”, nënvizoi Rama.