Edi Rama pritet në Romë nga kryeministrja italiane Giorga Meloni
Kryeministri Edi Rama është pritur në Romë nga kryeministrja italiane, Giorga Meloni. Sipas zyrës së kreut të qeverisë, takimi kokë me kokë mes Ramës dhe homologes italiane Meloni në Palazzo Chigi, u pasua nga një takim i përbashkët mes dy delegacioneve respektive.
“Forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve në fushën ekonomike, ishte një tjetër temë e diskutuar gjerësisht në takim, ku Italia si partnere strategjike e Shqipërisë, ka një rol tejet të rëndësishëm në këtë drejtim edhe përmes prezencës gjithnjë në rritje të sipërmarrjeve italiane në vendin tonë”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua mbi mundësitë e investimit që ofron Shqipëria në shumë sektorë potenciale, si energjia, infrastruktura, bujqësia, e veçanërisht turizmi, i cili këtë vit shënoi një rekord të vërtetë rritjeje, duke u kthyer në një nga fushat më atraktive për investime.
Sa i përket integrimit europian të Shqipërisë, në takim u theksua se Italia do të vijojë të mbështesë fuqishëm procesin, në të gjitha etapat e tij, ashtu si deri më tani.