Edicioni i ri i shkollës së artit, në ditën e parë ishte e ftuar fotografja nga Maqedonia, Natasa Geleva
Për herë të parë pas pandemisë është rikthyer “Art House School”.
Për disa ditë me radhë, artistë vendas dhe të huaj do të komunikojnë tema të lidhura me artin.
Ky vit shënon edicionin e katërt të tij dhe risia qëndron në ndërkombëtarizimin e tij.
Natasa Geleva, nga Prilepi i Maqedonisë së Veriut ishte artistja që çeli edicionin e ri. Ajo është marrë me fotografi që në vitin 1999 dhe që nga ajo kohë ka realizuar disa ekspozita.
“Kjo pjesëmarrje është një mundësi e mirë për të prezantuar një pjesë të artit tim këtu në Shqipëri. Ndonëse fotografia zë një vend të rëndësishëm tek unë, video po ashtu ka një hapësirë tek unë. Kjo është një formë e mirë për të bashkëndarë çasje dhe këndvështrime mbi mënyrat e të bërit art”, u shpreh fotografja Natasha Geleva
“Çfarë ka mbetur?” është tematika e këtij edicioni që kryesisht kërkon të përqendrohet tek ideja e bashkësisë dhe komunitetit. “Art House School” do të vijojë deri më 22 shtator.