Edmond Ndou zgjidhet kryetar i Këshillit të Qarkut Shkodër
Këshilli i Qarkut të Shkodrës ka zhvilluar mbledhjen për zgjedhjen e kryetarit të ri , pas dorëheqjes së Marina Duhanit , e ardhur nga radhët e PSD-së.
Fillimisht, anëtarët e këtij këshilli miratuan me votim të hapur dorëheqjen e Duhanit dhe më pas iu drejtuan kutive të votimit për të votuar Edmond Ndoun, kandidatin e vëtëm të propozuar nga PS.
Në përfundim të votimit, Edmond Ndou u zgjodh kryetar i Këshillit të Qarkut të Shkodrës me 18 vota pro dhe një kundër, nga 19 anëtarët e pranishëm.
Në fjalën e tij , Ndou, fillimisht falenderoi drejtuesit e PS-së dhe këshilltarët për besimin dhe më pas premtoi se do të punojë me përkushtim në drejtim të zhvillimit të Qarkut të Shkodrës.
Edmond Ndou është një emër i njohur si drejtues i grupit të këshilltarëve të PS-së në Këshillin Bashkiak Shkodër dhe një ndër figurat politike që ka drejtuar disa institucione të rëndësishme në Shkodër, në sektorin publik e privat.
I diplomuar për drejtësi, Ndou ka drejtuar Hipotekën në Shkodër, ka qenë këshilltar i kryetarit të Bashkisë, si dhe kandidat për deputet në zgjedhjet e viteve 2017 dhe 2021.