Egjipti plan armëpushimi në Gaza – Delegacioni i lartë i Hamasit ndodhet në Kajro për bisedime
Egjipti konfirmoi se ka paraqitur një plan me tre faza për të ndaluar luftimet mes Izraelit dhe Hamasit. Një delegacion i nivelit të lartë nga grupi militant palestinez ndodhet në Kajro për bisedime rreth propozimit, që synon t’i japë fund luftës gati 12-javore me Izraelin që ka shkatërruar Rripin e Gazës.
Burime pranë Hamasit i kanë Agjencisë franceze AFP se plani i Kajros parashikon lirim të pengjeve në Gaza në këmbim të të burgosurve palestinezë në Izrael dhe një armëpushim të plotë dhe përfundimtar.
Ai gjithashtu parashikon një qeveri palestineze teknokratësh, pas bisedimeve, në të cilat të përfshihen të gjitha fraksionet palestineze, që do të jenë përgjegjëse për qeverisjen dhe rindërtimin e Gazës së pasluftës.
Ndërkohë luftime të ashpra vijuan të premten mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës, ndërsa ushtria ka zgjeruar ofensivën tokësore. Rreth 150 mijë palestinezë po detyrohen të largohen nga zonat e Gazës qendrore, ka thënë OKB-ja, ndërsa forcat izraelite përparojnë në kampet e refugjatëve në Burej, Nuserat dhe Magazi.
Kryeministri Netanjahu anuloi një takim të kabinetit të luftës për të diskutuar planin e Izraelit për Gazën pas përfundimit të luftës me Hamasin.
Kryeministri izraelit thuhet se ka refuzuar kërkesat e zyrtarëve të sigurisë për të bërë plane për kontrollin e Gazës pas përfundimit të luftës me Hamasin.
Mbi 21 mijë palestinezë, përfshirë fëmijë e gra, janë vrarë dhe mbi 55 mijë persona janë plagosur nga sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori, ka njoftuar ministria e Shëndetësisë së kontrollohet nga Hamasi.