Egjipti thirrje OKB-së: Ndërhyj në konfliktin e Libanit, rrezikon të përhapet në gjithë rajonin
Ministria e Jashtme e Egjiptit u ka bërë thirrje “fuqive ndërkombëtare dhe Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të ndërhyjnë menjëherë” për të ndaluar “përshkallëzimin e rrezikshëm izraelit në Liban”.
Kajro, një ndërmjetës kyç midis Izraelit dhe Hamasit, ka paralajmëruar vazhdimisht kundër përshkallëzimit rajonal të konfliktit, për të cilin thotë se “kërcënon të tërheqë rajonin në një luftë gjithëpërfshirëse rajonale”.
Egjipti ka shprehur “solidaritetin” me Libanin dhe pohon “refuzimin total të çdo shkeljeje të sovranitetit dhe territorit të Libanit”.
Kajro do të vijojë “përpjekjet e tij për një armëpushim në Gaza” për të rivendosur qetësinë.
Ndërkaq, Ministria libaneze e Shëndetësisë ka rritur numrin e të vdekurve nga sulmet ajrore të sotme të IDF në 356, ku 1246 të tjerë janë plagosur. Ndërsa shifrat nuk bëjnë dallim mes anëtarëve të grupit terrorist dhe civilëve.
Nga ana e tij, IDF thotë se ka goditur vendet e Hezbollahut, duke përfshirë shtëpitë ku grupi terrorist ka fshehur armët, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka paralajmëruar civilët që të largohen nga ndërtesat ku Hezbollahu ka vendosur raketa, drone dhe armë të tjera.