Ekonomia do të rritet. FMN, si Banka Botërore, parashikon rritje 3,6% për Shqipërinë
Parashikimi për rritjen ekonomike në Shqipëri për vitin 2023 është rritur me 1.4 % duke e çuar atë në 3.6% sipas raportit më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Në raportin e muajit prill, rritja ekonomike për vitin 2023 vlerësohej se do të ishte 2.2%. Ndërsa për 2024, FMN i qëndron vlerësimeve të prillit, për një rritje prej 3.3%.
Fondi e bëri rishikimin në përputhje me vlerësimet e reja, ku edhe për vitin 2022 rritja rezultoi në 4.8%, nga 3.7% që ishte vlerësimi fillestar.
Ndërkohë që duke u krahasuar me vendet e rajonin sipas parashikimeve të rritjes ekonomike, rritjen me të madhe pritet ta ketë për vitin 2023 Mali i Zi me 4.5%, e ndjekur nga Kosova me 3.8%, Shqipëria, Maqedonia e Veriut me 2.5% dhe Serbia e Bosnjë Hercegovina me 2%.
Sipas raportit më të fundit të FMN pritet që inflacioni mesatar në Shqipëri të jetë 3.8% për vitin 2023 . Ndërkohë në një vështrim me te gjere sipas raportit, ekonomia globale vazhdon të rimëkëmbet ngadalë nga goditjet e pandemisë, pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe kriza e kostos së jetesës.
Ekonomia globale, thotë FMN, është duke çaluar, jo duke ecur me shpejtësi.
Sipas parashikimeve më të fundit të FMN-së, rritja globale do të ngadalësohet nga 3,5 për qind në 2022 në 3 për qind këtë vit dhe 2,9 për qind vitin e ardhshëm.
FMN thotë se megjithëse rreziqet janë reduktuar që nga raporti i muajit prilli, përsëri ato mbeten të larta.