Ekskluzive! Menaxheri i Besa Kokëdhimës zbulon detaje nga performanca në Eurovision më 9 maj
Nga Malmo e Suedisë janë zbuluar të tjera detaje lidhur me performancën e Besa Kokëdhimës në Eurovision 2024. Në një intervistë ekskluzive me “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, menaxheri i Besa Kokëdhimës, Tedi Tase vlerësoi performancën skenike që është punuar nga një koreografe finlandeze.
Lidhur me veshjen e Besa Kokëdhimës më 9 maj në skenën e Eurovision 2024, menaxheri i saj zbuloi se nuk do të përmbajë elementë tradicional si në performancat e kaluara, pasi sipas tij, Besa kërkon të japë një mesazh universal përmes këngës së saj “Titan”.
“Përgatitjet tona shkojnë shumë mirë, pothuajse në çdo provë për performanca skenike ka ardhur ne rritje dhe jemi duke punuar me koreografen finlandeze dhe të gjithë skuadrën tonë. Gjithçka po shkon në drejtimin e duhur, por në fund të ditës është publiku ai që vendos pasi këtë vit përzgjedhja e finalistëve do bëhet vetëm me votat e publikut. Veshja e performancës skenike akoma nuk është zbuluar ku nesër do jetë prova e parë me veshjen përfundimtare që është punuar nga Valdrin Sahiti. Besa është duke u përgatitur dhe kjo është arsyeja pse nuk mund të ishte sot. Ajo dërgon përshëndetje për të gjithë ju dhe shqiptarët. Zgjedhja jonë është të mos shkojmë me detaje tradicionale shqiptare por t’i përmbahemi një performance që dërgon një mesazh universal, pastaj sigurisht që përfaqësimi bëhen në flamurin shqiptarë dhe kjo është ajo që i bashkon shqiptarët”, tha Tasa.
Nga “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, Tase pati një thirrje për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë që të votojnë për të çuar Shqipërinë në natën finale.
“Të gjithë shqiptarët të mbështesin Shqipërinë në radhë të parë dhe pastaj Besën i përfaqësuese të saj. Uroj të jemi një nga vendet që do të arrijmë finale nëse do kemi mbështetjen e të gjithë shqiptarëve që të votojnë pasi vota e tyre është përcaktuese që Shqipëria të shkojë në finale”, tha ai.
Mesazhet mbështetëse për Besa Kokëdhimën erdhën edhe nga këngëtarë të tjerë shqiptarë që kanë qenë fitues të Festivalit të Këngës në RTSH dhe përfaqësues të Shqipërisë në Eurovision në vitet e kaluara.
Anxhela Peristeri, Eneda Tarifa dhe Mal Retkoceri kanë shprehur mbështetjen e tyre për Besën dhe Shqipërinë në “Eurovision 2024”.
Kjo thirrje vjen vetëm kur na ndajnë pak orë nga nisja e festivalit europian të këngë “Eurovision 2024”, ku këtë vit do të mbahet në Malmo të Suedisë, me dy gjysmëfinale më 7 dhe 9 maj.
Shqipëria do të performojë më 9 maj, natën e dytë të gjysmëfinales së Eurovision 2024 e 6-ta në radhë.
Këngëtarja Besa Kokëdhima përfaqëson Shqipërinë në Eurovizion 2024 pasi mori besimin e publikut në Festivalin e 62-të i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar me këngën “Titan”. Eurovision 2024 do të transmetohet drejtpërdrejt në RTSH 1, RTSH muzike dhe Radio Tirana 1.
Si të votojmë Shqipërinë
Përsa i përket votimit, nga gjysmëfinalja, dhjetë finalistët vlerësohen nga vota e publikut. Votohen në dy forma: Shqiptarët që ndodhen në shtetet që janë në garë në natën e dytë gjysmëfinale mund të votojnë me kodin 02 në numrat e telefonit vendosur në dispozicion nga shteti ku ata jetojnë, nga vendet pjesëmarrëse.
Ndërsa, të gjithë shqiptarët që ndodhen kudo nëpër botë, tani është votimi rest of the world (pjesa tjetër e botës) ku mund të votohet online 24 orë përpara se të çelet votimi i online në esc.vote ku mund të votohet për Shqipërinë deri në 20 herë nga çdo vend i botës.