Viti 2023 kishte si kryefjalë turizmin në Shqipëri, duke hapur një faqe të re jo vetëm sa i përket fluksit të turistëve, por edhe të gjithë industrisë që lidhet me këtë sektor, duke filluar nga ai i bareve dhe restoranteve, shtëpive me qira, shitjeve dhe blerjeve të pasurive të patundshme, agroturizmit, bujqësisë, infrastrukturës, botës së spektaklit, por edhe një sërë sektorësh të tjerë.
Si paraqitet Shqipëria përballë tregut agresiv rajonal në fushën e turizmit? Cilat ishin politikat favorizuese që çuan në këtë fluks, debatet për turizmin elitar përballë atij me kosto të ulët, ndikimi i turizmit në ekonomitë familjare dhe cilat janë strategjitë e reja për vitin 2024? Këto janë një seri pyetjesh që shtrohen, por që ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, u përgjigjet në një intervistë ekskluzive për RTSH.al.
Sipas saj, suksesi i turizmit në vitin 2023 “është rezultat i punëve të mëdha dhe koordinimit të mirë të të gjitha institucioneve publike, por edhe subjekteve private që operojnë në turizëm”.
“Viti 2024 do të jetë ‘prova e zjarrit’, sepse ashtu si për publikun, edhe për qeverinë kjo është diçka e re, e paprovuar më parë. Kjo s’do të thotë që duhet të rrimë edhe të presim ç’do të ndodhë. Sigurisht që kemi nisur të përgatitemi që nga masat për pastrimin e vendit, përmes asistencës në 8 bashki bregdetare për pastrimin e territorit të tyre, tek inspektimet në terren gjatë sezonit veror për respektimin e rregullave si stacion plazhi dhe ndotjen akustike,” komenton znj. Kumbaro, ndërsa shton se “synojmë turistë që qëndrojnë më gjatë dhe që shpenzojnë më shumë”.
Ministrja ka sqaruar edhe paqartësitë, lidhur me faktin se a do të tatohen ambientet që jepen nëpërmjet disa platformave, që ofrojnë shërbimin me qira të shtëpive apo vilave.
Intervista me ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro
Viti 2023 duket se shënoi një faqe të re për turizmin në Shqipëri. Të dhënat zyrtare flasin për një rritje me shifra afro 35% krahasuar me një vit më parë. Në këndvështrimin tuaj si ministre përgjegjëse për turizmin, kujt do t’ia atribuonit këtë hop deri dhe të papritur të turizmit?
Nuk do ta quaja të papritur këtë rritje të flukseve hyrëse gjatë vitit 2023, sepse është rezultat i punëve të mëdha dhe koordinimit të mirë të të gjitha institucioneve publike, por edhe subjekteve private që operojnë në turizëm. Është e vërtetë që shifrat e këtij viti kanë arritur në nivelin që e kishim parashikuar diku rreth vitit 2030, për 10 milionë turistë të huaj, por industria e udhëtimit, promovimi, sektori privat, shpesh ecin me ritme më të shpejta se objektivat strategjikë të qeverive. Ka ekzistuar një sinergji shumë e mirë mes synimeve tona dhe përgjigjes që kemi marrë nga sektori privat, sepse në fund të ditës është ai që e zhvillon turizmin me çdo strukturë shërbimi, me stafet, me cilësinë, me ndjesinë që përcjell. Ama dua të theksoj edhe diçka: rezultatet dhe performanca e mirë në turizëm është “certifikuar” edhe nga Organizata Botërore e Turizmit, që e rendit për të dytin vit radhazi Shqipërinë në krye të klasifikimit të flukseve turistike në Evropë dhe të tretën në botë.
Shqipëria përballet me një treg agresiv të turizmit me vende me shumë përvojë në këtë fushë, si Greqia, Italia, Kroacia, madje dhe Mali i Zi. Si po pozicionohet vendi ynë për t’u përballur me këtë sfidë?
Ne jemi të rrethuar nga vende fqinje që janë gjigantë të turizmit dhe jemi të vetëdijshëm që Shqipëria nuk ka pasur traditë turizmi të mirëfilltë si këto vende. Ama ne kemi autenticietin e një vendi që ofron gjithçka në një territor shumë të vogël. Jemi në përpjekje të vazhdueshme për të krijuar modelin tonë të zhvillimit të qëndrueshëm në turizëm. Nuk e shohim veten në garë me këto vende. Përkundrazi, shkëmbimi i përvojave apo bashkëpunimi për krijimin e ofertave të përbashkëta turistike në nivel rajoni, në mënyrë që turistët nga tregjet e largëta me destinacion Ballkanin t’i vizitojnë si paketë këto vende, do të ishte me përfitime për tregun shqiptar. Konkretisht, bashkëpunimi vlen shumë edhe nëse flasim për thithjen e turistëve nga tregjet e largëta, nga Azia për shembull, ku kemi një rritje të turistëve kinezë gjatë këtij viti, si edhe Japonia. Por ata nuk vijnë vetëm për Shqipërinë – vijnë për Ballkanin si një rajon, ndaj këtu shohim potencialin e madh të bashkëpunimit me fqinjët.
Turizëm elitar apo me kosto të ulët? Si do u përgjigjeni zërave që debatojnë rreth natyrës sesi duhet të jetë turizmi në vendin tonë?
Qeveria shqiptare e ka shpallur qartazi modelin e zhvillimit të qëndrueshëm në turizëm dhe pa diskutim në harmoni me mjedisin, pra ta zhvillojmë turizmin duke mbrojtur natyrën, pyjet, malet, ujërat. Duam të zhvillojmë turizëm me fokus jo vetëm bregdetin, por edhe asetet e tjera natyrore, agroturizmin, Zonat e Mbrojtura, gjatë gjithë vitit. Kjo është A-ja e strategjisë sonë të zhvillimit dhe rrjedhimisht Shqipëria nuk synon turizëm masiv, nuk synon numra, por qëndrueshmëri dhe modelet e bukura ekzistojnë.
Cilat do të vlerësonit si politikat më favorizuese për turizmin të ndërmarra nga qeveria, të cilat kanë sjellë edhe këtë ndryshim, duke e kthyer Shqipërinë në një destinacion thuajse për të katra stinët?
Ky ka qenë vizioni kur flisnim pesë a gjashtë vite më parë për thithjen e investimeve të huaja në turizëm. Nisi gjithçka me kuadrin ligjor, gjë që mundësoi afrimin e markave ndërkombëtare dhe ndërtimin e hoteleve me pesë yje siç kemi sot Maritim, Marriot, Melia, Intercontinental, Movenpick, Radisson, së shpejti edhe Hyatt dhe të tjera brande të njohura. E afrojnë Shqipërinë në hartat e rëndësishme të destinacioneve turistike, çka i shërben objektivit për ta ngritur Shqipërinë në turizmin e nivelit më të lartë në Ballkan. Hotelet me 5 yje janë gjithashtu investime të rëndësishme edhe për krijimin e vendeve të reja të punës. Nga ana tjetër, kategorizimet sipas të gjitha rregullave në fuqi si “Strukturë Akomoduese” nga ana e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, ofrojnë lehtësira fiskale për të gjithë sektorin e hotelerisë, siç është TVSH e ulur në 6% dhe përfitoj edhe nga kjo hapësirë për t’u bërë thirrje të gjitha hoteleve dhe strukturave akomoduese për t’u kategorizuar pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në mënyrë që të përfitojnë më pas nga lehtësirat fiskale.
Ka një paqartësi, lidhur me faktin se sipas disa ndryshimeve në ligjin për turizmin të bëra pak javë më parë, do të tatohen edhe shtëpitë që jepen nëpërmjet disa platformave që ofrojnë shërbimin me qira të shtëpive apo vilave. Si qëndron e vërteta?
Ajo që ka ndodhur gjatë këtyre viteve, është se sektori privat ka ecur shumë më shpejt nga ç’mendohej. Realiteti ka qenë shumë hapa përpara ligjeve dhe sidomos këtë vit e pamë shumë të nevojshme për të rishikuar ligjin për turizmin, për ta përmirësuar në shumë aspekte. Pjesë e këtyrë ndryshimeve është edhe formalizimi, ku të gjitha platformat dhe bizneset që ofrojnë shërbim akomodimi duhet të kategorizohen, sepse jemi në një moment që turizmi po kthehet në industri të mirëfilltë dhe duhen rregulla të barabarta për të gjithë, për të respektuar konkurrencën e ndershme. Mosdeklarimet nuk do të tolerohen më. Ne kemi krijuar shumë lehtësi për investimet në turizëm, siç edhe i përmenda më parë, por ama shteti nuk mund të mos vjelë taksa nga një numër i konsiderueshëm i strukturave akomoduese, sepse sa më shumë rriten flukset, aq më shumë rriten kostot e qeverisë për sa i përket pastrimit, shërbimeve, promovimit etj.
Cilat janë sipas jush mangësitë e vërejtuara? Turizmi ka një mori faktorësh që ndikojnë duke filluar nga një larmishmëri institucionesh dhe ministrish. Si ka qenë bashkëpunimi në këtë drejtim? Çfarë nuk ka funksionuar dhe që duhet përmirësuar?
Siç e theskova edhe më parë, Shqipëria nuk ka pasur një traditë të turizmit, është e re në këtë fushë, po synon ta ndërtojë traditën dhe gabimet ndonjëherë janë pjesë e procesit. Megjithatë, nuk mund të lë pa përmendur që këtë vit koordinimi jo vetëm ndërinstitucional dhe e kam fjalën këtu për bashkitë, policinë e shtetit, emergjencat civile, ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Urgjencën Kombëtare me të cilët i kemi ardhur në ndihmë çdo turisti të aventurës, kanë qenë të gjithë në funksion të mbarëvajtjes së turizmit. Por patjetër “kampion” ka qenë sektori privat i turizmit, i cili ka mirëpritur ata miliona vizitorë. Kanë qenë të jashtëzakonshëm.
Cili ka qenë ndikimi i turizmit në ekonomitë familjare? A ka ministria juaj politika specifike që ekonomitë familjare të kenë një përfitim më të madh dhe çfarë duhet të përmirësojnë ato që të jenë konkuruese?
Synimi për të zhvilluar turizëm të qëndrueshëm, në të gjithë vendin dhe gjatë gjithë vitit, patjetër që shkon paralel edhe me vizionin për komunitetet e zonave ku zhvillohet një veprimtari turistike: turizëm malor, ekoturizëm, agroturizëm, nga pikëpamja se si ata mund të prodhojnë ekonomi. Tregtimi i produkteve bujqësore nga fermat e vogla, kthimi i shtëpive e kullave në bujtina, agropërpunimi, punimet artizanale, të gjitha këto i kanë kthyer në oaze plot jetë zonat përreth atraksioneve turistike. Në fillim të dhjetorit, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura përmes vlerësimit të një jurie profesioniste ndërkombëtare, shpallën projektin fitues të qendrës së vizitorëve dhe stacioneve të informimit në “Parkun Kombëtar Lumi Vjosa” dhe një ndër kriteret e përzgjedhjes mes studiove që konkurronin aty ishte hapësira e bashkëveprimit me komunitetet që jetojnë pranë këtij parku. Të njëjtën filozofi duam të injektojmë kudo dhe në fakt Shqipëria sot është plot me raste të tilla të bukura, të ekonomive familjare që zhvillohen nga turizmit. I kemi përreth, duhet t’i promovojmë që të japim modelin e bukur që duhet ndjekur nga të tjerët.
Të arrish është njëra anë e medaljes, por të mbash është diçka tjetër. Çfarë ka parashikuar ministria e Turizmit për vitin 2024, për të çuar më tej numrin e turistëve si dhe për të favorizuar bizneset në Shqipëri duke filluar që nga turizmi bregdetar, ai malor apo edhe turizmi i qyteteve historike?
Ky është një vit historik për turizmin dhe viti 2024 do të jetë “prova e zjarrit”, sepse ashtu si për publikun, edhe për qeverinë. Kjo është diçka e re, e pa provuar më parë, por kjo s’do të thotë që duhet të rrimë edhe të presim ç’do të ndodhë. Sigurisht që kemi nisur të përgatitemi duke filluar që nga masat për pastrimin e vendit, përmes asistencës në 8 bashki bregdetare për pastrimin e territorit të tyre, tek inspektimet në terren gjatë sezonit veror për respektimin e rregullave si stacion plazhi, ndotjen akustike. Promovimi ndërkombëtar fillon në janar me pjesëmarrjen në panairin FITUR të Madridit, pastaj në ITB Berlin, panairi më i madh në botë ku do të jemi “host country” në 2025, dhe presim në Tiranë mbledhjen e Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit. Nga ana tjetër, ligji i ri i turizmit, strategjia e re e turizmit që do të drejtojë politikat e sektorit deri në vitin 2030 dhe instrumenti i ri statistikor (SAT) që jep të dhëna të sakta për hyrjet e vizitorëve dhe ndihmon në formalizimin e tregut, janë tre shtyllat kryesore për të vazhduar punën në vijim. Në fakt, nuk është se domosdoshmërisht kërkojmë më shumë numra, megjithëse sektori privat konfirmon që ka 35% më shumë kontrata për vitin tjetër. Por synojmë turistë që qëndrojnë më gjatë dhe të shpenzojnë më shumë.
Super Liga Zviceriane ka një “zot” dhe ai quhet Xherdan Shaqiriri. Në moshën 33-vjeçare fantazisiti…
Më 3 shkurt, Federata Italiane e Futbollit (FIGC) do të zgjedhë presidentin e ri dhe…
Një lajm i keq vjen për Realin e Madridit në prag të ndeshjes së Champions…
‘’Koka e një gruaje’’,(Gordina de groot), është piktura e impresionistit Vincent van Gogh, që mbeti…
Me gjithë inkurajimin dhe mbështetjen e shtuar ndër vite për ta denoncuar dhunën me bazë…
Interpretime, këngë, valle dhe ngjyra kuq e zi ishin pjesë e festës në gjimnazin “Jordan…
This website uses cookies.