Ekspertët: Marjuana dëmton shëndetin mendor të adoleshentëve
Përdorimi i marjuanës në vendin tonë përveç se nga adoleshentët, po qarkullon edhe në mosha më të vogla.
Shefi i toksikologjisë Andrin Tahiri, tha se nuk është trend, por shënohen raste të izoluara.
“Kemi edhe nxënës të klasave të 9-ta të cilët vijnë të shoqëruar me prindërit në shërbimin tonë për shkak të problemeve që kanë nga përdorimi i marjuanës. Nuk është trend por kemi raste të izoluara”, tha Tahiri.
Ekspertja e abuzimit me substancat në ISHP, Andia Meksi thotë se përdorimi i marjuanës nga adoleshentët rrezikon shëndetin mendor dhe pasojat janë të pakthyeshme.
“Sepse pikërisht ajo pjesë e trurit që është përgjegjëse për sjelljet vetëkontrolluese është ende në zhvillim e sipër. Ajo që ndodh është se këtë pjesë që janë ende në zhvillim, dëmtohen nga përdorimi i substancave. Mund të ketë dëmtime të pa rikoperueshme”, tha Meksi.
Njerëzit që përdorin marjuanë kanë më shumë gjasa të zhvillojnë psikozë të përkohshme, kanë shtrembërim të realitetit , halucinacione dhe paranojë.
Ekspertja thekson se lidhja e marjuanës dhe skizofrenisë është më e fortë tek personat që e fillojnë herët përdorimin dhe në mënyrë të shpeshtë.
Parandalimi përmes informimit dhe edukimit si dhe vendosja korridoreve kontrolluese nëpër shkolla shihen nga ekspertët si mjete efikase të zvogëlimit të fenomenit.