Eksperti i IT, Anxhelo Lushka: Mund të ketë dhe shumë servera të tjerë që po hakerohen në këtë moment
Hakerat e “Homeland Justice” para disa ditësh kanë hakeruar një kompaninë celulare, por edhe faqen e Parlamentit të Shqipërisë. Përmes një postimi në platformën “Telegram”, ata njoftuan se kanë akses tek të gjitha të dhënat e kompanisë, por nuk japin shumë detaje, pasi paralajmërojnë se shumë shpejt do publikojnë të tjera informacione lidhur me sulmet e tyre.
Për të folur mbi këtë temë në emisionin “Jetë Shqiptare” në një lidhje me skype Eksperti i Teknologjisë se Informacionit Anxhelo Lushka u shpreh se hakerat kanë marrë një sasi të madhe informacioni dhe kjo është diçka shqetësuese.
“Për hakerime të këtij niveli sidomos siç është një kompani telekomunikacioni nuk janë gjëra të vogla ashtu sikur ishin edhe dalja e të dhënave të kartave të identitetit. Mendoj që në aspektin e gjerë duhet të shqetësohemi si shoqëri edhe pse drejtpërdrejtë ndoshta nuk prish punë secilit.
Mendoj që këto goditje që po ndodhin kohët e fundit nuk janë aspak normale dhe mendoj se janë një vazhdimësi e goditjeve që filluan 2-3 vite më parë.
Siç mund të themi, ka vrima sigurie dhe e njëjta gjë ka ndodhur sepse këto gjëra nuk ndodhin brenda një dite apo një jave por këto janë sulme që mendoj se janë të planifikiuara, qëndrohet në qetësi me muaj me vite derisa sa të gjesh një mundësi tjetër, të kalosh nëpër sisteme dhe të vjedhësh të dhëna.
Ishin marrë një numër shumë i madh të dhënash rreth 20 terrabajt është një sasi shumë e madhe informacioni dhe mendoj se duhet të shqetësohemi për këtë” tha Anxhelo Lushka.
Gjithashtu eksperti i IT Anxhelo Lushka tha se hakerat mund të përqendrohen në serverat e qeverisë dhe se mund të hakerohen shumë servera qeveritar në këto momente.
“Nuk mund të them se çfarë do të ndodhe me përpikmëri por është e sigurt që do të përqendrohen në serverat e qeverisë siç ishte Parlamenti por mund të ketë dhe shumë e shumë servera të tjerë që po hakërrohen në këtë moment që po flasim. Dhe këto të dhëna mblidhen përpunohen ose fshihen në varësi se çfarë është qëllimi i tyre”, u shpreh eksperti i IT Anxhelo Lushka.