Eksperti i sigurisë Shtuni: Kosova dhe Bosnja, të cenueshme nga radikalizimi

Në dritën e konfliktit në Gazë, Adrian Shtuni, ekspert i sigurisë, paralajmëron për ndikimin e tij në Ballkanin Perëndimor, sidomos në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.

Ai thotë se polarizimi social dhe politik që ekziston në këto dy vende, mund të çojë në radikalizëm dhe dhunë politike.

“Normalizimi i marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërshtetërore kudo në Ballkan, e veçanërisht ndërmjet Kosovës e Serbisë, është shumë i rëndësishëm”, thotë Shtuni, studiues i radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.

Ai shton se Kosova “ka mësuar shumë nga përvoja me luftëtarët e huaj që shkuan në Siri e Irak”, por thekson se rreziku për rekrutime të reja në Lindjen e Mesme vazhdon ende.

Shtuni, javë më parë, publikoi edhe një analizë të veten për konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – dhe implikimet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Çfarë ju shtyu të analizoni se si sulmet terroriste të 7 tetorit kundër Izraelit dhe konflikti pasues në Gazë mund të ndikojnë në Evropë, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, në aspektin e sigurisë?

Konflikti Izrael – Hamas [grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera] tashmë ka pasur ndikim të shumëfishtë në aspektin humanitar dhe të sigurisë, si në Lindjen e Mesme, ashtu edhe në Evropë.

Për arsyen se Ballkani Perëndimor është urë gjeografike midis Lindjes së Mesme dhe Evropës dhe rajoni me popullsinë më të madhe myslimane vendase të kontinentit, ky konflikt rezonon në mënyrë të veçantë në rajon. Kjo reflektohet edhe në solidaritetin tradicional me popullin palestinez. Pra, ka më shumë vëmendje, interes, ndjeshmëri nga publiku ndaj këtij konflikti dhe, padyshim, edhe ndikime që duhen analizuar dhe kuptuar qartë dhe objektivisht.

Ndër tendencat që kam vënë re për sa i përket sigurisë, mund të rendit si kryesorin shqetësimin nga ana e vendeve të Bashkimit Evropian për një valë të re refugjatësh dhe emigrantësh të parregullt nga Lindja e Mesme, që mund të kalojnë transit nëpër Ballkanin Perëndimor, drejt vendeve të BE-së. Pak a shumë si gjatë krizës në Siri dhe Irak.

Shqetësimi është se militantë terroristë mund të depërtojnë në valën e refugjatëve dhe emigrantëve, që sa më e madhe të jetë, aq më e vështirë bëhet për t’u kontrolluar.

Trende të tjera problematike janë rritja e gjuhës së urrejtjes, e vërejtur si gjatë protestave pro-palestineze, ashtu edhe në postimet në rrjetet sociale, si dhe rritja e konsiderueshme e keqinformimit dhe dezinformimit online mbi konfliktin në Gazë.

Të gjitha këto përbëjnë shqetësim për përshkallëzim të polarizimit shoqëror dhe radikalizim të shtuar, që mund të pasohet nga aktivitete që cenojnë sigurinë në rajon.

A ka ndonjë vend të caktuar në Ballkanin Perëndimor që është më i rrezikuar dhe pse?

Fatkeqësisht, si në Kosovë, ashtu edhe në Bosnje, situata politike dhe sociale është mjaft e polarizuar. Gjuha e përbuzjes dhe urrejtjes ndëretnike është në rritje, titujt bombastikë që paralajmërojnë luftë mes Kosovës dhe Serbisë apo shpërbërjen e dhunshme të Bosnjës janë të kudondodhura. Eskalimi i tensioneve është kthyer në normalitet.

Edhe në aspektin e radikalizimit dhe militantizmit fetar që ka dalë në plan të parë gjatë kohës së konfliktit në Siri dhe Irak, këto dy vende kanë pasur numrin më të madh të qytetarëve që kanë udhëtuar në vatrat e luftës në Lindjen e Mesme dhe u janë bashkuar organizatave terroriste atje. Ky problem mund të jetë fashitur disi viteve të fundit, por, gjithsesi, vazhdon të përbëjë një rrezik të rëndësishëm sigurie.

Elementet e mësipërme tregojnë se këto dy vende janë më të cenueshme nga radikalizimi dhe dhuna politike apo ideologjike.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.