Ekspertja e Mjedisit Ornela Çuçi: Prodhimi dhe ambalazhimi rrit cilësinë e ujit
Rreziqet e mundshme për shëndetin mbeten të paqarta, por studiuesit thonë se nanoplastika përmban më shumë se 100 kimikate që shkaktojnë kancer dhe ata që janë përfshirë në studim thonë se po reduktojnë konsumin e ujit në shishe pas zbulimeve të tyre tronditëse nga mostrat.
Ornela Çuçi Eksperte Mjedisi e ftuar në emisionin “Jetë Shqiptare” foli për rolin e plastikës në jetën dhe shëndetin tonë. Ekspertja theksoi gjithashtu se në vend ende nuk ka një laborator për të analizuar cilësinë e ambalazhimeve te bidonat e ujit.
“E para që duhet të saktësojmë është të dimë sa kohë rri uji në këto shishet plastike, sepse nëse këto shishe janë mbushur pardje dhe e konsumon sot, uji nuk ka arritur ta gërryej plastiken nga brenda dhe sigurisht ajo nuk ka lëshuar nanoplastikat apo mikroplastikat në ujë.
Varet nga sasia e ujit që konsumojmë të marrë nga këto lloj bidonash plastik dhe nga ana tjetër, një tjetër komponent i rëndësishëm është jo vetëm sasia por edhe cilësia që përdorin fabrika të ndryshme që prodhojnë ujë të ambalazhuar pra cilësia e ambalazhit.
A jemi në të aftë si vend të kontrollojmë cilësinë e plastikës që përdoret në ambalazhim? Deri tani ne nuk kemi një laborator të akredituar në Shqipëri i cili të shkojë dhe të bëjë analizën se çfarë PETI, lloj plastike që përdoret për ambalazhimin e ujit”, tha ekspertja e mjedisit Ornela Çuçi.
/rtsh.al/