“Ekspres”/Krisafi: BE dhe SHBA kanë humbur besimin tek Kosova dhe Kurti
I ftuar në emisionin “Ekspres” në RTSH, Ledion Krisafi, ekspert i çështjeve ndërkombëtare tha se Kurti dhe Vuçiq nuk do ta shohin asnjëherë njëri tjetrin si lider për të arritur një marrëveshje por e shohin veten si kundërshtar ku mbizotëron një komunikim i ashpër.
“Duket se liderët e kanë humbur mundësinë e komunikimit me njeri tjetrin dhe janë lider të vështirë qoftë Kurti me idetë e veta por edhe Vuçiqi me idetë e veta, me stilin e tij. E shohin palën tjetër si kundërshtar të vërtet jo si mundësi për të arritur një marrëveshje. Komunikimi midis tyre ka qenë shumë i ashpër. BE ka kuptuar që duke vendosur njëri tjetrin përball nuk është kjo mënyra e duhur. Amerikanët janë tërthorazi të përfshirë në këtë proces. Prezenca e tyre është e pranishme, fakti është se qëndrimi i BE në tavolinë ka mbështetjen e plotë të Amerikës”, tha Ledion Krisafi.
Ledion Krisafi, nuk i kurseu fjalët duke thëne se Kosova ka humbur besimin e BE-SHBA dhe se Kurti nuk e mbajti fjalën për të mos hyrë në godina.
“Nuk ndodh përditë të kesh përballë të gjithë krerët e BE-se dhe të bindin dy palë si Kosova dhe Serbia duke e krahasuar problemin situatën Ukrainën-Rusi dhe Lindjen e Mesme është problemi më i vogël. Kurti dhe udhëheqësit e Kosovës kanë humbur besueshmërinë në sytë e evropianeve në sytë e amerikanëve. Atë që tha Makron në Tiranë ishte e rëndë, jo për heqjen e vizave por që ata nuk kanë mbajtur fjalën. Këshilla e BE-së dhe amerikanëve ishte që të zgjedhurit shqiptar nuk duhet të ishin në godina dhe Kurti nuk e mbajti fjalën”, tha Ledion Krisafi.
Eksperti i çështjeve ndërkombëtare Ledion Krisafi tha se SHBA dhe BE duan ti japin një zgjidhje përfundimtare çështjes së Kosovës dhe se nuk duan ti japin asnjë mundësi Rusisë apo edhe Serbisë për të hapur një front të tretë me veriun e Kosovës.
“Kurti ka thënë disa herë që do të bëjmë asosacionin por nuk e ka bërë asnjëherë. Nuk do të ketë fuqi ekzekutive ose të marri vendime, do të jetë e ngjashme me atë në Kroaci. Kosova duhet të jetë realiste. Asosacioni duket se është një kusht i pandryshueshëm nga BE. SHBA duket se ka kuptuar gabimin me Bosnjën dhe nuk duan të bëjnë një gabim të dytë. SHBA dhe BE duan ti japin një zgjidhje përfundimtare çështjes së Kosovës. BE-SHBA nuk duan ti japin asnjë mundësi Rusisë apo edhe Serbisë për të hapur një front të tretë me veriun e Kosovës” , tha Krisafi.