Ekstradimi i Ibrahim Licit nga Turqia, Prokuroria e Shkodrës dërgon dosjen në Ministrinë e Drejtësisë
Katër ditë pas arrestimit në Turqi të një prej emrave më të njohur të botës së krimit në Shkodër, Ibrahim Licit, Prokuroria e Shkodrës ka plotësuar dosjen hetimore ndaj tij, duke ia përcjellë Ministrisë së Drejtësisë, me qëllim nisjen e procedurave për ekstradimin e tij.
Sipas procedurave standarde të ekstradimeve, Ministria e Drejtësisë i drejtohet zyrtarisht autoriteteve ligjzbatuese turke për ekstradimin e shumë të kërkuarit, ndaj të cilit rëndojnë disa akuza, si: “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armeve shpërthyese dhe municionit”.
Sipas të dhënave nga organi i akuzës në kryeqendrën e Veriut, Ibrahim Lici dyshohet se është përfshirë në vrasjen e Endri Mustafës, ku ka dyshime se e qëlloi me armë zjarri pistoletë ë mesin e muajin maj të vitit 2021.
Për këtë ekzekutim drejtësia ka dënuar me 10 vite burgim Ergys Maljan, për veprën penale ‘Vrasjes me paramendim kryer ne bashkëpunim’.
Ndërsa sipas policisë, Ibrahim Lici dyshohet se është edhe autori kryesor i atentatit ndaj vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, ngjarje kjo e ndodhur në datën 30 Mars të 2019.