Ekstremistë të ekstremit të djathtë gjerman, akuzohen për planifikimin e një grushti shteti
Prokurorët gjermanë kanë akuzuar 27 ekstremistë të dyshuar të ekstremit të djathtë për planifikimin e një grushti shteti. Të dyshuarit akuzohen për anëtarësim në lëvizjen e skajshme Reichsbürger – ose Qytetarët e Rajhut.
“Anëtarët e grupit kundërshtuan me forcë institucionet shtetërore dhe rendin e lirë kushtetues demokratik”, thuhet në aktakuzë.
Ata janë kryesisht bashkëpunëtorë të Heinrich XIII Princit Reuss, një figurë e Reichsbürger nga një familje aristokrate. Prokurorët i kanë akuzuar 27 personat për planifikim të përmbysjes së sistemit politik demokratik të Gjermanisë.
U bënë përgatitje konkrete për një grusht shteti duke filluar në verën e 2021. Plani ishte të merrej pushteti duke pushtuar Bundestagun, parlamentin gjerman, me një grup të vogël personeli të armatosur. Sulmi do të niste pas marrjes së një sinjali, siç ishte vdekja e Mbretëreshës Elizabeth II.
Komplotuesit e dyshuar kishin përcaktuar edhe se si do të funksiononte shteti i tyre i ri pas grushtit të shtetit. Princi Reuss ishte planifikuar të ishte kreu i shtetit. Me marrjen e detyrës, ai do të negocionte një traktat paqeje me fuqitë aleate që fituan Luftën e Dytë Botërore.
Princi Reuss u përpoq të takonte përfaqësuesit e qeverisë ruse për të fituar mbështetje për grushtin e shtetit, sipas prokurorëve. Birgit Malsack-Winkemann, në atë kohë një anëtare e Bundestagut për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë, do të ishte bërë ministre e Drejtësisë.
Prokurorët thanë se ajo u dha akses në ndërtesat parlamentare bashkëpunëtorëve të tjerë. Rebelët e mundshëm dyshohet se kanë tentuar të rekrutojnë ushtarë dhe oficerë policie.
Grupi kishte hartuar listat e armiqve. Anëtarët ishin të vetëdijshëm se planet e tyre do të rezultonin në vrasjen e njerëzve, sipas aktakuzës. Anëtarët u detyruan të nënshkruanin një deklaratë fshehtësie. Shkelësit do të ishin ekzekutuar për tradhti të lartë.
Komplotuesit e dyshuar kishin në përdorim rreth 380 armë zjarri dhe 148,000 fishekë. Disa nga të akuzuarit u arrestuan në një bastisje nga policia federale dhjetorin e kaluar.
Sipas Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës, agjencia e brendshme e inteligjencës gjermane, ka rreth 23,000 ndjekës të lëvizjes Reichsbürger në vend. BBC