Eleminohen Besëlidhja dhe Tërbuni, lezhjanët dhe pukjanët mbesin në kategorinë e dytë
Besëlidhja-Sopoti 0-2, Iliria-Tërbuni 2-0. Këto janë rezultatet e ndeshjeve të fazës Play Off për grupin A të kategorisë së dytë. Ndeshjet në fjalë janë luajtur pasditen e së enjtes, përkatësisht në stadiumin e Lezhës dhe të Fushë Krujës. Pasi nuk arritën të kualifikohen direkt në kategorinë e parë, të drejtë, të cilën e përfitoi skuadra tropojane Valbona si kampionia e grupit A, Besëlidhjes dhe Tërbunit, e vetmja shpresë për të kaluar në kategorinë e parë ishin ndeshjet e fazës Play Off. Ndeshje të cilat kanë rezultuar fatale për të dyja skuadrat, pasi që të dyja janë mundur me rezultatin 2 me 0. Zhgënjyese ishte sidomos paraqitja e Besëlidhjes, e cila edhe pse shorti e favorizonte të luante në shtëpi nuk arriti të përfitojë nga faktori fushë. Skuadra mysafire nga Librazhdi, arriti të shënoi dy gola me autor Tanushin në minutën e 45-të dhe Cotan në minutën e 76-të duke siguruar të drejtën e vazhdimit të konkurimit në Play Off. Ndërkohë, edhe pse luante në transfertë, Tërbuni, i cili shoqërohej nga tifozët pukjanë në ndeshjen e luajtur në Fushë Krujë, u mund me rezultatin 2 me 0. Ndëshkuesit e skuadrës pukjane ishin Olatunbosun dhe Berisha, të cilët tundën rrjetën e portjerit Shkodra të Tërbunit, përkatësisht në minutat 45 dhe 49. Në këtë mënyrë, me dy humbjet e pësuaa,r respektivisht nga Sopoti dhe Iliria, dy skuadrat e grupit A, Besëlidhja dhe Tërbuni do të vazhdojnë të luajnë edhe sezonin e ardhshëm në kategorinë e dytë.