Elisa Spiropali në krye të Kuvendit, rrugëtimi i deputetes “luftarake“
Një vendimmarrje surprizë, propozimi i Kryeministrit Edi Rama për Elisa Spiropalin, duke i besuar drejtimin e parlamentarizmit. Të paktën kjo u lexua në portretin e saj, kur kryeministri në Kongres lajmëroi ndryshimet.
Duke pritur një reagim prej saj pas besimit të dhënë nga Edi Rama, Zj. Spiropali tha se do prononcohej në një moment tjetër.
Elisa Spiropali do të ulet në postin e Kryetares së Kuvendit, pas një angazhimi aktiv në grupin parlamentar të PS-së, por edhe në postin e Ministrit të Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin që prej vitit 2019 e deri aktualisht.
Angazhimi i saj si e deleguara e PS-së, në qarkun e Shkodrës, ajo kontribuoi për t’i dhënë fitoren e parë PS-së, në kryeqendrën e veriut në Shkodër, gjatë zgjedhjeve lokale të 2023.
Angazhimi aktiv i znj. Spiropali në partinë Socialiste, nisi që prej 2009, gjatë kohës në opozitë. Ajo fitoi garën dhe u zgjodh kryetare e FRESH dhe anëtare e Asamblesë së PS-së, si dhe u kandidua për deputete në zgjedhjet e vitit 2009.
Aktive në jetën e partisë socialiste, Elisa Spiropali ka mbajtur edhe pozicione të tjera; Sekretare për Rininë dhe Sekretare për Bashkëqeverisjen, këshilltare bashkiake në Tiranë dhe zëdhënëse e Kryesisë së Partisë Socialiste
Kryetarja e re e kuvendit, Elisa Spiropali ka ushtruar përgjatë viteve 2013-2015 detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave, ku ka marrë vlerësime nga partnerët ndërkombëtare.
Mandatin e parë si deputete në Kuvendin e Shqipërisë, Elisa Spiropali e mori në qarkun e Korçës, në 2017-ët, ndërsa mandatin e dytë të deputetit nga listat zgjedhore të qarkut të Tiranës në 2021-in.
Znj. Spiropali përgjatë viteve 2017 -2019 ka ushtruar detyrën e nënkryetares së grupit parlamentar të PS-së dhe nënkryetare e Komisionit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë .
Arsimin e mesëm e ka kryer në Kanada dhe ka diplomë nga universiteti i Massachusetts në dy degë; ekonomi dhe politikë, ndërsa studimet pasuniversitare në Britaninë e Madhe.
Elisa Spiropali do të udhëheqë jetën parlamentare që prej sesionit të ardhshëm në shtator e deri në zgjedhjet parlamentare të pranverës së 2025.