Elon Musk tërheq akuzën ndaj kompanisë “OpenAI”
Miliarderi amerikan, Elon Musk, ka hequr dorë nga padia e tij kundër kompanisë së inteligjencës artificiale, “OpenAI”, dhe themeluesve të saj, Sam Altman dhe Greg Brockman.
Shefi i Tesla-s ngriti padi kundër OpenAI në fund të shkurtit të këtij viti, duke argumentuar se kompania që ai kishte ndihmuar të themelonte në 2015 kishte devijuar nga qëllimet e saj altruiste për t’u fokusuar në fitimin e parave.
Nga ana tjetër, OpenAI kundërshtoi se Musk kishte mbështetur më parë idenë e një strukture fitimprurëse dhe madje sugjeroi një bashkim me firmën e tij të makinave elektrike Tesla.
Mosmarrëveshja u intensifikua në fillim të kësaj jave pasi Apple zbuloi një partneritet me OpenAI për të rritur asistentin e zërit të saj Siri dhe sistemet operative me chatbotin ChatGPT të OpenAI.
Në një dokument të paraqitur nga një avokat që e përfaqëson Musk kërkohet nga gjykata që ta hedhë poshtë tërë rastin, pa ofruar ndonjë arsye.
Ndërsa as vetë Musk, e as kompania “OpenAI” nuk u janë përgjigjur kërkesave për koment.
Miliarderi, i cili u largua nga firma e inteligjencës artificiale më 2018, kishte argumentuar në padi se themeluesja e “ChatGPT”-së gjithmonë kishte për synim që të mbetej kompani jofitimprurëse.
Musk filloi kompaninë e tij të AI, të quajtur xAI, në korrik 2023, për të cilën ai tha se do të synonte “të kuptojë realitetin”./BBC