Emergjenca e emigrantëve në Itali, presidentja e KE-së dhe kryeministrja Meloni vizitojnë Lampeduzan
Presidentja e KE Ursula fon der Lajen do të shohë nga afër situatën e emergjencës së emigrantëve në Lampeduza. Zyrtarja e lartë evropiane pranoi ftesën e kryeministres italiane Xhoxha Meloni për të vizituar së bashku ishullin jugor të Italisë, ndërkohë që nuk ndalen varkat me njerëz nga Afrika e Veriut
Zbarkimi masiv i emigrantëve në Lampeduza nuk ka të ndalur, vetëm gjatë orëve të para të së dielës kanë mbërritur 4 varka me 160 emigrantë, mes tyre edhe gra e fëmijë.
Mediat italiane raportojnë se dhjetëra varka të tjera me qindra emigrantë në bord janë nisur drejt Lampeduzas, ku sot pritet të mbërrijë kryeministrja Xhorxha Meloni dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen.
Një ditë më parë zyrtarja e lartë evropiane pranoi ftesën e Xhorxha Melonit për të vizituar ishullin italian, që të mund të shihte nga afër situatën emergjente të krijuar nga zbarkimi masiv i emigrantëve.
Meloni në një video-mesazh të premten tha se Italia është nën presion të lartë për shkak të numrit të madh të anijeve me emigrantë që mbërrijnë nga Afrika e Veriut në Lampeduza. Ajo paralajmëroi se ministria e mbrojtjes do të krijojë qendra të reja pritjeje për emigrantët.
Kryeministrja italiane bëri me dije se i kishte propozuar presidentit të Këshillit Evropian Sharl Mishel që çështja e emigrantëve të ishte në agjendën e samitit të BE-së në tetor, ndërkohë do të kërkojë një mision evropian për të ndaluar nisjen e anijeve me emigrantë.
Mbi 7 mijë emigrantë kanë zbarkuar nga dita e martë në Lampeduza, numër që është më i lartë se vetë popullsia e këtij ishulli.