Emigrantët, CEI: Marrëveshja Itali-Shqipëri, para të hedhura në det. Tajani: Jo, adresojmë problemin
Pak orë pasi senati italian dha dritën jeshile përfundimtare për marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët, ka ardhur dhe reagimi i CEI i cili kundërshton miratimin, e deklaron se paratë e “hedhura në det”, mbulojnë “paaftësinë për të qeverisur fenomenin”.
Sipas imzotit Xhan-Karlo Perego (Gian Carlo), investimi 637 milionë euro në 10 vite për dy qendrat ku do të strehohen emigrantët në Shqipëri, “do shkojnë në tym për pamundësinë për të ndërtuar një sistem pritjeje të përhapur në vendin tonë, i cili renditet i 16-ti në Evropë për pritjen e azilkërkuesve në krahasim me numrin e banorëve”.
Marrëveshja, të cilën shumica e duartrokiti dhe e cila tashmë u ratifikua nga Parlamenti, parashikon ndërtimin e një qendre identifikimi të emigrantëve në brendësi, e cila do të jetë në gjendje të strehojë “maksimumi 3 mijë” njerëz, plus një qendër më të vogël për zbarkimin e parë në portin e Shëngjinit, ku mund të ankorohen anijet italiane me njerëz të shpëtuar në Mesdhe.
“Ato burime”, thotë imzot Perego, “mund të rigjenerojnë jo vetëm jetën e shumë njerëzve, por edhe jetën e komuniteteve tona. Gjashtëqind e shtatëdhjetë e tre milionë euro që do të nënkuptonin vende pune dhe një ndarje ekonomike”.
Pas reagimit të Imzot Peregos, është përgjigjur Ministri i Jashtëm Antonio Tajani i cili shprehet se nuk janë aspak “para të hedhura në det” por “të shpenzuara mirë për të adresuar çështjen e migracionit me një vend kandidat për t’u bërë pjesë të Bashkimit Evropian”.
Ministri Tajani i kujtoi Peregos edhe vizitën e djeshme (15 shkurt) të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antoni Blinken (Antony) në Shqipëri. “Sot, ndër të tjera, Blinken ishte aty,” tha ai.