Emigrantët dhe krimet ndërkufitare, Frontex do të kontrollojë të gjitha pikat kufitare
Oficerët e Frontex, Agjencisë së Rojës Bregdetare dhe Kufirit Evropian, do të shpërndahen në të gjitha Pikat e kalimit Kufitar në vend, tokësore, detare dhe ajrore.
Kjo parashikohet në projektligjin më të ri që Ministria e Brendshme i ka dërguar Kuvendit, ku parashikohet që grupet e punës midis autoriteteve shqiptare dhe atyre të Frontex të monitorojnë gjithçka çfarë ndodh çdo pikë kalim kufitar të Shqipërisë me vendet e tjera.
Zv.ministëri i Brendshëm, Andi Mahila u shpreh se marrëveshja ka impakt te puna e Policisë.
“Marrëveshja mes Shqipërisë dhe BE, është propozuar nga BE dhe synon rregullimin për dislokimin e menaxhimit të fluksit migrator dhe krimet ndërkufitare. Për çdo aktivitet, duhet bashkërendim. Marrëveshja ka impakt te puna e Policisë. Që në nisje të operacionit në maj të vitit 2019, janë kapur në hyrje në Kapshticë e Kakavijë emigrantët në masën 92%, më parë ishte 45%”, u shpreh Zv.ministër i Brendshëm, Andi Mahila.
Relatori i çështjes Denis Deliu tha se marrëveshja do të implementohet në të gjitha pikat kufitare në vend.
“Marrëveshja do të implementohet në të gjitha pikat kufitare në vend, anëtarët e ekipeve do të jenë në kufijtë detar, tokësor e detar. Marrëveshja ka 22 nene, ndërsa ajo e 2019 ka 12 nene. Ka përforcim e detajim të bashkëpunimit mes autoriteteve tona dhe Frontex”, u shpreh relatori i çështjes Denis Deliu.
“Ka tri risi: Mbikëqyrjen në të gjitha pikat kufitare, modernizimi për mbikëqyrjen, ngritjen e infrastrukturave të posaçme për menaxhimin e kufijve. Sugjerojmë që nga komisioni përgjegjës të shtohet një nen, për shfuqizimin e ligjit të mëparshëm”, u shpreh Klotilda Pushka.
Komisioni i Ligjeve e kaloi ë parim këtë projektligj, por ai duhet të kalojë edhe në komisionet e tjera e më pas në seancat e Kuvendit.
Miratimi bën që marrëveshja e 5 tetorit e vitit 2018 të shfuqizohet dhe të zëvendësohet me marrëveshjen e re.
Ishte maji i vitit 2019 kur nisi operacioni i parë i përbashkët në Ballkanin Perëndimor, mes Policisë dhe Frontex në Jug të Shqipërisë në kufi me Greqinë. Ku fokus do të vijojë të mbetet edhe lufta ndaj krimit dhe trafikut të qenieve njerëzore.