Emigrimi i paligjshëm, Sekretari i Jashtëm britanik javën e ardhshme në Tiranë. Takime me Ramën e Begajn
Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron do të udhëtojë drejt Shqipërisë javën e ardhshme për të diskutuar për një goditje të re ndaj bandave të organizuara kriminale që qëndrojnë pas rrjeteve të trafikimit të njerëzve.
Sipas mediave britanike, gjatë udhëtimit të tij, Cameron do të zhvillojë bisedime të nivelit të lartë me Presidentin Bajram Begaj, Kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin e Jashtëm Igli Hasani.
“The Sun” shkruan se ai do të shpallë një program të ri dy palësh për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.
Ndërkohë edhe kryeministri Rishi Sunak do të takohet me kancelarin austriak Karl Nehammer në fillim të kësaj jave ku do të kërkojë veprime më të ashpra për të mbrojtur kufijtë e Evropës nga kriza e migracionit.
Udhëtimi i Sunak vjen ndërsa një numër në rritje vendesh në mbarë botën deklarojnë se duan të lançojnë skemat e tyre të “stilit të Ruandës” që kërkon të aplikojë Sunak. Dhe BE-ja po përballet me një rebelim në rritje nga vendet anëtare që kërkojnë aftësinë për të krijuar skemat e tyre të dëbimit.