Emocione kuqezi në Fan Zonën e Shkodrës, RTSH Shkodra transmetoi, drejtpërdrejt nga sheshi, emisionin dedikuar EURO 2024
Atmosferë festive dhe emocionuese ishte ajo në sheshin e shatërvanit pranë Bashkisë së Shkodrës gjatë ndeshjes Shqipëri-Itali, e vlefshme për ndeshjet në grupe të Euro 2024 e që mblodhi mbi 1500 tifozë shkodranë.
Fan Zona, e pagëzuar me emrin “Kryezona ku mblidhen kampiona”, mori pamjen e një hapësire ku festohej me ngjyrat kuqezi duke nisur disa orë para sfidës. Kuqezinjtë tanë u mposhtën, por paraqitja dinjitoze e tyre përballë kampionëve në fuqi të Europës nuk i zbehu aspak shpresat e tifozëve shkodranë për ndeshjen e radhës që kombëtarja do të luajë ndaj Kroacisë.
Pas përfundimit të ndeshjes, atmosfera vijoi me post ndeshjen përmes një show sportiv të realizuar nga RTSH Shkodra në bashkëpunim me Bashkinë e Shkodrës të realizuar nga gazetari sportiv Gasper Marku me të ftuar personalitete nga fusha e sportit dhe e artit si dhe lidhje direkte, duke përcjellë kështu adrenalinën dhe entuziasmin e Euro 2024 që po zhvillohet në Gjermani në sheshin dedikuar emocioneve të futbollit.