EMRAT- Postribë, plagoset një person me armë zjarri, policia arreston autorin e dyshuar
Raportohet se një person ka mbetur i plagosur mbrëmjen e sotme në Shkodër, pas një konflikti të çastit. Ngjarja ka ndodhur në rrugën e Prekalit në Postribë. I plagosuri me emrin Çel Shabaj 43 vjeç, mësohet se ka marrë një plagë në këmbë. Ai është dërguar në spitalin e Shkodrës, jashtë rrezikut për jetën. Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka mundur të arrestojë autorin e dyshuar të ngjarjes me emrin Kristian Kakia.
“Policia parandalon përshkallëzimin e një konflikti me armë zjarri, falë ndërhyrjes në kohë të forcave “Shqiponja”. Si rezultat i veprimeve të shpejta, Policia identifikoi, kapi dhe shoqëroi në Komisariat për veprime të mëtejshme autorin e dyshuar dhe dy shtetas të tjerë. Policia gjeti e sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit pistoletë me të cilën dyshohet se u plagos 43-vjeçari. Rreth orës 20:40, në Postribë, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, shtetasi K. K., dyshohet se ka plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasin Ç. Sh., 43 vjeç, i cili ndodhet në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe falë veprimeve të shpejta hetimore bënë të mundur identifikimin dhe shoqërimin e 3 shtetasve për veprime të mëtejshme, mes tyre dhe autori i dyshuar. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”, njofton policia.